Pas reagimeve të shumta që ka ngjallur ndryshimet në Kodin e ri Penal, Ministria e Drejtësisë ka reaguar lidhur me procesin e rishikimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Sipas një komunikate, Ministria e Drejtësisë e ka cilësuar punën e saj në hartimin e Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të bazuar në modelet sipas tyre më të avancuara të vendeve të Bashkimit Evropian.
“Përmes këtij procesi, para së gjithash synojmë: avancimin e mëtejshëm të legjislacionit të kësaj fushe përgjithësisht me fokus rishikimi i dispozitave që i referohem forcimit të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe forcimit të luftës kundër terrorizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar; adresimin e sfidave apo vështirësie që kane hasur organet e zbatimit të legjislacionit penal, si dhe adresimin i të gjeturave nga raportit për vendin i Komisionit Evropian”, thuhet në komunikatë.
Komisioni që presidenti Hashim Thaçi e ka themeluar për ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale ka kriminalizuar fyerjen dhe shpifjen. Është saktësuar si vepër e rëndë penale fyerja dhe shpifja ndaj udhëheqësve të shtetit, përfshirë presidentin. Dënimet për shpifje ndaj tij janë deri në 5 vjet burgim.
Sipas kësaj komunikate, pas pranimit të komenteve dhe propozimeve, si dhe themelimit të grupit punës në lidhje me këtë çështje, Ministria e Drejtësisë ka hartuar draftin fillestar të Projektligjit për ndryshim plotësimin e Kodit Penal.
“Me rastin e hartimit të këtij drafti Ministria e Drejtësisë ka marrë për bazë propozimet e akterëve të përfshirë në këtë proces si dhe praktikat e mira të vendeve të Bashkimit Evropian në përgjithësi e shtetit të Gjermanisë në veçanti”,thuhet në komunikatë.
Disa nga nenet e propozuara për diskutim nga ana e anëtarëve të grupit punues, sipas ministrisë janë marr model nga Kodi Penal i Gjermanisë, “i cili është në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
“Si të tilla janë objekt shqyrtimi nga ana e grupit punues dhe nuk janë propozim i asnjë institucioni, e për të cilat grupi punues i themeluar për këtë çështje do të jetë kompetent t’i trajtoj dhe të rekomandoj se si të procedohet tutje me këtë çështje”, sqaron ministria.
Aktualisht, drafti u është dërguar për komente anëtarëve të grupit punues, përfaqësuesve të shoqërisë civile, si dhe partnerëve tanë ndërkombëtar.
Ministria e Drejtësisë, aktualisht është në fazën e pranimit të komenteve dhe propozimeve shtesë nga ana e anëtarëve të grupit punues, ka sqaruar MD.
“Ministria e Drejtësisë është thellësisht e përkushtuar që procesi i rishikimit të drejtësisë penale do të jetë gjithëpërfshirës dhe shumë transparent, me qellim të avancimit të mëtutjeshëm të legjislacionit aktual, në menynë që organeve të cilat merren me zbatimin e ligjit t’u mundësohet infrastrukturë adekuate ligjore, që puna e tyre të jetë sa me efikase dhe efektive, në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative”, thuhet në komunikatë.
E tek në fund Ministria e Drejtësisë ka ftuar të gjitha palët dhe mediat të përmbahen nga paragjykimet dhe të kuptojnë së çështjet e propozuara aktualisht janë në nivel diskutimesh dhe janë vetëm propozim për të cilat do të vendosë grupi punues.