Mundësia e ekstradimit për në Serbi e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nën akuzat për krime lufte, kishte ngjallur reagime të ashpra – deri në destabilizimin e vendit, por edhe të rajonit.
Ishte vëllai i tij, Daut Haradinaj, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga AAK-ja, që kishte deklaruar se ekstradimi në Serbi i Ramush Haradinajt do të nxiste luftë.
Diçka të ngjashme kishte paralajmëruar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili po ashtu vjen nga AAK-ja.
Ai kishte thënë se nëse lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ekstradohet në Serbi, atëherë askush nuk do të ndihet i lirë, madje as serbët.
“Nëse krijohet një situatë e tillë, që unë nuk besoj personalisht, atëherë kerkush në këtë vend nuk do të ndihet i lirë, pra as serbët!”, kishte shkruar Selmanaj në llogarinë e tij në facebook, duke shtuar se situatat e tilla mund të shmangen vetëm nëse Haradinaj kthehet në Kosovë.
“Ramush Haradinaj duhet të kthehet në Kosovë, këtë duhet ta dinë të gjithë, pra edhe Franca që është vënë në shërbim të politikave të Millosheviqit!”, kishte shkruar më tej ai.
Për këto deklarata kishin reaguar zyrtarë të Serbisë. Ishte drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke kërkuar që të mos ketë nxitje të dhunës dhe urrejtjes në Kosovë.
Sipas Gjuriq, Kosovës në këtë situatë nuk i duhet nxitja e dhunës.
“Është esenciale që në Kosovë dhe Metohi të jetë një atmosferë e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë, jo nxitjes së dhunës dhe urrejtjes”, kishte thënë Gjuriq.
Deklaratat e deputetit Daut Haradinaj, i kishte dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Ai e kishte quajtur këtë si kërcënim për spastrim etnik, pikërisht në ditën kur Kosova festoi ditën e Kushtetutës, dhe se sipas tij, një gjuhë e tillë nuk ka vend në Evropë.