Kryeshefi i Inspektoratit Policor shkakton aksident me veturë zyrtare – një i lënduar

Kryeshefi i Inspektoratit Policor shkakton aksident me veturë zyrtare – një i lënduar

Drejtori i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Hilmi Mehmeti, ia ka rrezikuar seriozisht jetën një qytetari. Duke mos respektuar kufizimin e shpejtësisë, Mehmeti me veturë zyrtare ka shkaktuar një aksident rrugës për në Podujevë duke i shkaktuar lëndime shoferit të një kombibusi.

Incidentin e shkaktuar nga Mehmeti që lëndoi qytetarin, e ka bërë të ditur policia javën e kaluar në raportin e incidenteve.

Por, kryeshefi i IPK-së ka mohuar se ka qenë duke ngasur veturën me shpejtësi dhe se ka lënduar ndonjë pjesëmarrës në trafik. Ka thënë se ka qenë duke vozitur ngadalë.

Version krejtësisht të kundërt ka dhënë policia.

“Raportohet se i dyshuari mashkull, kryeinspektor i IPK-së, duke lëvizur me veturën e VW ‘Taureg’ me targa 01.379-Cd, pronë e IPK-së, nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, ka goditur veturën VW kombi që drejtohej nga viktima mashkull. Si pasojë e aksidentit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në emergjencën e Podujevës për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e policisë të datës 21 prill të këtij viti.

I kontaktuar nga Insajderi, Hilmi Mehmeti ka thënë se askush nuk është lënduar në aksident.

“Kem nejt nja gjysmë ore sa ka përfunduar procedura policore, ma shumë nuk di. Ka qenë vetëm vozitësi (i kombibusit v.j.). Unë isha lidhur. I thash pse more nuk je lidh? E kam pyet a je lëndu. Më ka thënë jo. Ma shumë nuk di. Po nuk ka pas të lënduar në këtë aksident”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka mohuar se ka qenë duke ngasur veturën me shpejtësi.

“Aksidenti në shpejtësi të madhe nuk ka qenë, por udha për Podujevë është duke u punuar dhe i kanë heqë disa kufizime që kanë qenë për lëvizje të automjeteve. Ai (shoferi i kombibusit v.j.) nuk e di a ka qenë shpejt, po unë jam kanë kadale”, ka thënë Mehmeti./Insajderi.com