KOMF: Dhuna nuk disiplinon, dhuna shkatërron

KOMF: Dhuna nuk disiplinon, dhuna shkatërron

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dënon ashpër aktet e dhunës së vazhdueshme të ushtruara ndaj nxënësve nga ana e mësimdhënësve në Republikën e Kosovës.

“Ditën e djeshme është publikuar në media një storie në të cilën prezantohet rasti i dhunës së profesorit të shkollës fillore “Fan Noli” në Kamenicë ushtruar ndaj nxënësit gjatë pushimit në mes të orëve mësimore. Sipas deklaratës së nxënësit dhe prindit, profesori përmes dhunës, duke goditur nxënësin, i shkakton lëndim trupor duke i dëmtuar organin vital, veshin”, thuhet në reagimin e KOMF.

KOMF apelon tek organet kompetente të marrin urgjentisht masat adekuate bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Dhuna dhe veprimet e tilla të ushtruara nga mësimdhënësit, bien në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës, Rregulloren QRK- nr. 21/2013 për Protokollin për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit para-universitar, Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe rregulloret përkatëse të punës së mësimdhënësve”, thuhet më tej aty.

KOMF thotë se, sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, ndëshkimi fizik apo çfarëdo forme tjetër e ndëshkimit është i ndaluar në të gjitha institucionet arsimore dhe aftësuese, qofshin ato publike ose private.

Gjithashtu, thotë KOMF, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, ka sanksionuar rastet e keqtrajtimit, frikësimit apo fyerjet ndaj fëmijës, dhe kur kjo bëhet nga personi zyrtar duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, personi i tillë rrezikon dënimin me burg nga 6 muaj në 5 vjet.

“Kur vepra penale kryhet ndaj viktimës së ndjeshme duke i dëmtuar organin vital, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet për veprën penale”, vazhdon reagimi.

KOMF konsideron se organet kompetente urgjentisht duhet të ndërmarrin masat disiplinore dhe ligjore për rastin në fjalë.

“Nëse veprimet e tilla vërtetohen dhe kualifikohen në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, atëherë duhet të iniciohet menjëherë procedura penale ndaj profesorit i cili ka ushtruar dhunë ndaj nxënësit në fjalë”, thuhet ndër tjera aty.

Po ashtu, KOMF i bën thirrje organeve përgjegjëse për të nisur menjëherë ofrimin e shërbimeve si dhe ndërmarrjen e të gjitha masave me qëllim të rikthimit të nxënësit në procesin mësimor./Insajderi.com