Raporte të shumta ndërkombëtare kanë vënë në pah se Kosova vuan nga mungesa e lirisë së shprehjes së gazetarëve dhe pikërisht për këtë arsye gazetarët kosovar sot kanë protestuar në Sheshin “Skënderbeu” për të kërkuar të drejtat e tyre, por kjo ditë për presidentin e vendit dhe kryeministrit është ditë feste.
Ata nëpërmjet llogarive të tyre në Facebook kanë uruar gazetarët.
|Të gjithë punonjësve të mediave, gazetareve dhe gazetarëve të Kosovës, Urime 3 Maji, Dita Botërore e Lirisë së Mediave! Mediat dhanë kontribut të pazëvendësueshëm në çlirimin e Kosovës, arritjen e pavarësisë, ndërtimin e shtetit dhe fuqizmin e shtetësisë”, ka shkruar Mustafa.
Sipas tij, mediat e lira dhe profesionale janë sot partner i zhvillimit ekonomik, proceseve integruese euroatlantike dhe fuqizimit të shtetit të së drejtës e luftës kundër dukurive negative.
“Avancimi i vazhdueshëm i pavarësisë së mediave u konfirmua së fundi edhe nga Freedom House dhe shumë mekanizma të tjerë kredibil ndërkombëtarë. Urime!”, ka shkruar Mustafa.
E presidenti i vendit ka përmendur fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days”, duke thënë se aty “diskutuan për sfidat e ruajtjes së kësaj lirie nga përpjekjet për të kufizuar atë, por edhe nga përpjekjet për të abuzuar me të”.
“Gazetaria në Kosovë ka qëndruar e palëkundur përkundër presioneve dhe joshjeve, duke u rritur dhe fuqizuar gjithnjë e më shumë. Kurse, përpjekjet e gazetarëve për ta realizuar lirinë e shtypit kanë qenë gjithmonë përpjekje që nderojnë historinë e kulturës njerëzore”, ka shkruar presidenti.
Por javën e kaluar u publikuan dy raporte ndërkombëtare, “Freedom House”, njoftoi se liria e shtypit në botë ka rënë në vitin 2015 në nivelet më të ulëta në 12 vite, si pasojë e rritjes së presionit nga kombinimi i elementeve politike, kriminale dhe terroriste.
FH në raportin “Liria e Shtypit në Botë 2016”, Kosovën e radhitet në vendin e 96-të në listën e vendeve “pjesërisht të lira”, një përmirësim shumë i vogël nga pozita e 98-të, në të cilën radhitej vitin e kaluar.
Kurse “Reporterë pa kufij”, vlerësuan se ambienti i punës së mediave në Kosova ka shënuar problem të dukshme. Kurse në ranglistën e indeksit të mediave e vendos Kosovën në vendin 82-të, për dallim nga viti i kaluar, kur ajo ishte në pozitën e 90.
Kjo renditje dëshmon se në Kosovës nuk janë ndalur kërcënimet ndaj gazetarëve, mbyllja e institucioneve për të dhënë përgjigje, dhe presionet e ndryshme nga zyrtarë institucionesh e grupe të caktuara të interesit. Gjithashtu edhe presionet nga brenda mediumeve, mungesa e kontratave, dhe mos dhënia e pagave kanë qenë sfidat me të cilat u përballën një numër i madhe i gazetarëve.
Ndër përpjekjet më të fundit të presionit ishte ajo e Ministrisë së Drejtësisë për penalizmin e shpifjes dhe fyerjes.
Kërcënimet ndaj gazetarëve vazhduan po ashtu, për dallim nga viti i kaluar kur kryeredaktori i gazetës Insajderi Vehbi Kajtazi u kërcënua përmes telefonit nga kryeministri Isa Mustafa, këtë vit kërcënuesit shkuan edhe me tej.
Në fillim të këtij muaji kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, është kërcënuar përmes një mesazhi që i është lënë në hymjen e objektit të banimit.
Kërcënuesit kanë gjetur adresën e banimit të Xharrës në Prishtinë, dhe në muret jashtë banesës dhe në parkingun e saj kanë vizatuar me ngjyrë të kuqe disa kryqe gjigantë.
Kështu 26 vjetorin e ditës së lirisë së shtypit Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim edhe me Këshillin e Mediave të Shkruara dhe disa organizatave tjera ka thirrur protestë për të kundërshtuar fillimisht nismën e ministrisë së drejtësisë që fyerjen dhe shpifjen t`i penalizoj./Insajderi.com