Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dëshiron t'i shpëtojë një mocioni për rrëzimin e qeverisë, derisa suksesin që e synon LDK e ka arritur të enjten një parti në shtetin ballkanik, Kroaci. Partia në pushtet HDZ në Kroaci i shpëtoi për një votë një mocioni mosbesimi për rrëzimin e ministrit të Financave. Këtë mocion në Kroaci e mbështeti edhe partneri i koalicionit, partia Most, e cila nuk do të jetë më pjesë e qeverisë.
Parlamenti i Kroacisë ka zgjedhur një kryetar kuvendi të ri të premten, në një vendim që partia konservative kroate HDZ mund të jetë në gjendje të formojë një koalicion të ri dhe t’i shmanget zgjedhjeve të parakohshme pas rënies së aleancës së saj me partinë e qendër së djathtë Most.
Parlamenti konfirmoi nominimin e Goran Jandrokoviq të partisë HDZ si kryetar kuvendi pasi partia kishte mbledhur 76 nënshkrime në favor të tij, minimumi i nevojitur për një shumicë në kuvendin me 151 ulëse.
HDZ ka 58 ulëse në parlament dhe morri mbështetje nga partitë e tjera dhe nga disa deputetë të pavarur.
Aleanca e HDZ dhe Most-it është prishur pasi Most ka përkrahur opozitën në një votë mosbesimi, të mbajtur të enjten, kundër Ministrit të Financave Zdravko Mariq. Mariq i ka mbijetuar mocionit për një votë, dhe lideri i Most-it Bozo Petrov më pas ka dhënë dorëheqje si kryetar kuvendi.
Por, HDZ tashmë pritet të formojë një mazhorancë me parti të tjera. Deputetët që përfaqësojnë pakicat kombëtare së bashku me disa deputetë të pavarur, mund të jenë vendimtare për formimin e një shumice të re.
E këtë “shpëtim” që arriti partia HDZ në Kroaci e dëshiron edhe partia e kryeministrit Isa Mustafa në Kosovë. Kjo pasi partia opozitare NISMA ka iniciuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.
Kryesia e Kuvendit ka vendosur të premten që të thërrasë seancë plenare për votimin e mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Seanca pritet të mbahet të mërkurën, më 10 maj.
Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa ka bërë të ditur se demarkacioni do të procedohet në Kuvend më 8 maj. Procedimi i demarkacionit nga ana e kryeministrit për procedimin e demarkacionit në Kuvend, ka ardhur menjëherë pasi që Kryesia e Kuvendit ka miratuar mocionin e opozitës.
Për rrëzimin e Qeverisë, nevojiten 61 vota për të deputetëve.
Në rast se ky mocion i opozitës dështon, atëherë sipas akteve ligjore kushtetuese, brenda 90 ditëve të ardhshme nuk mund të ngrihet një mocion i ri i ngjashëm, që do të kishte si qëllim shkarkimin e Qeverisë.
Ndërkaq, në rast se mocionin e mbështesin 61 deputetë në seancën plenare, atëherë mbetet në vendimin e presidentit që ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme. /Insajderi.com