Sekretari i VV-së akuzon Kadri Veselin për “përgatitje të kërcënimeve” ndaj tij

Sekretari i VV-së akuzon Kadri Veselin për “përgatitje të kërcënimeve” ndaj tij

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj e ka drejtuar gishtin kah Kadri Veseli si fajtor për kërcënimet që kanë ardhur në adresë të tij.

Molliqaj e ka akuzuar Veselin edhe për një sulm që kishte ndodhur ndaj aktivistit të VV-së, Agron Kabashi, në të cilin ishte i përfshirë edhe vet Molliqaj. Sekretari Organizativ i VV-së e kishte shoqëruar me makinë Kabashin para se të ndodhte ky sulm.

“Është e qartë se prapa këtyre kërcënimeve janë grupe kriminale në Kosovë, të cilat në masë të madhe udhëhiqen nga strukturat e SHIK-ut dhe nga drejtuesi i saj, Kadri Veseli”, deklaroi Molliqaj.

Molliqaj tha se Vetëvendosje ka indikacione të qarta se kreu i Parlamentit të Kosovës ka organizuar kërcënimet ndaj tij.

“Ne kemi indikacione të forta se ndaj sulmit të parë, që ka ndodhur ndaj Agron Kabashit, ku kam qenë edhe unë, edhe zoti Veseli ka qenë i përfshirë dhe ka ndikuar në këtë rast. Megjithatë po presim që Policia me ec tutje. Ne kemi ofru shumë dëshmi, por edhe vet zoti Veseli ka komunikuar me persona të tjerë për këtë rast, rastin tim pra dhe sigurisht që është ai përgjegjësi, sepse jo rastësisht sa herë që unë personalisht kam folur për strukturat e SHIK-ut, qoftë ato në politikën e Kosovës apo nëpër ministri që e zhvatin buxhetin e shtetit, kanë ndodhur ose kërcënime përmes postës elektronike apo përcjellje fizike, siç ishte rasti i fundit e deri te sulmet të drejtpërdrejta fizike”, tha Molliqaj për Periskopin.

Vetëvendosje ka mbajtur sot konferencë për medie dhe ka prezantuar kërcënimet e fundit që po merr Sekretari Organizativ i kësaj lëvizjeje nga persona ende të paidentifikuar nga Policia.

Në konferencën e jashtëzakonshme që u mbajt sot në zyrat e VV-së, para gazetarëve folën deputetët Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu, të cilët prezantuan përmes video-materialeve e fotografive detaje nga përcjellja e parë e Molliqajt para dy muajsh dhe kërcënimin e fundit që i është bërë mbrëmë. /Insajderi.com