Isa Mustafa u fundos nga “arma e tij më e fuqishme”

Për ditë të tëra u zhvillua një përplasje titanësh e politikanëve dinakë. Isa Mustafa, kryeministër në detyrë, nuk mundi t’i rezistojë mjeshtërisë dhe fuqisë së PDK-së. U fundos sot nëpërmjet dinakërisë politike, arma të cilën e kishte përdorur gati një dekadë për të fundosur konkurrentë e “partner” politik të tij.

Isa Mustafa u fundos nga “arma e tij më e fuqishme”

Politikani i pensionuar Fatmir Sejdiu, i cili ka vuajtur kohë të gjatë ‘prerjen në besë’ nga Isa Mustafa, mund të jetë duke festuar në këto momente në shtëpinë e tij. Sigurisht që ka dëgjuar me orë të tëra seancën parlamentare për fundosjen e mikut të tij të dikurshëm, Isa Mustafës.

Mustafa u godit sot nga ‘prerja në besë’ e partnerit qeverisës. U godit nga arma të cilën e kishte përdorur shpesh dhe i kishte krijuar fuqi përgjatë karrierës së tij politike.

I shquar për dinakëri, nuk i kishte treguar Fatmir Sjediut deri në momentin e fundit se po e lakmonte pozitën e kryetarit të partisë.Ishte mobilizuar pas krahëve të tij, njeriut që dikur e kishte angazhuar si këshilltar të tij dhe më pas e kishte nominuar për kryetar të Prishtinës.

Dinakëria e tij kishte pasur sukses. E kishte pensionuar Sejdiun në vitin 2010.

Për katër vjetët e ardhshme e kishte luajtur rolin e opozitarit të pakompromis. Kishte fituar përkrahje si kundërshtues i ashpër i PDK-së së Hashim Thaçit. Kishte arritur që më 2014 partia e tij të ishte udhëheqëse e bllokut VLAN, i cili ishte afër rrëzimit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Kur askush nuk e priste, Isa Mustafa u bë ‘Juda Iskarioti’ i bllokut opozitar. Përfitoi postin e kryeministrit duke përdorur dinakërinë e tij. Kishte tradhtuar VLAN-in dhe kishte nënshkruar një koalicion të fuqishëm për kah numrat. Opozita nuk shihej në horizont.

Në marrëveshjen që e kishte nënshkruan me Thaçin figuronte edhe një rresht që ia pamundësonte partnerëve të koalicionit që të përkrahin mocione mosbesimi të opozitës.Ky rresht u shpërfill sot nga PDK-ja. Ambicia e Veselit për ta marrë postin e Mustafës bënte që PDK-ja të mos e rilexonte marrëveshjen e koalicionit.

Mustafa dhe e tërë LDK-ja u mbështet pas atij rreshti kur PDK-ja dha sinjale se do ta rrëzojë nga froni.

PDK-ja u tregua sot më e suksesshme në dinakëri e tradhti politike sesa Mustafa. E la kryeministrin në detyrë, Isa Mustafën, pa asnjë mundësi që të tregojë shkathtësitë e tij të dinakërisë.

Nga një rrugëtim përplot suksese në politikë, nëpërmjet dinakërisë, Isa Mustafa përfundoi sot si viktimë e dinakëve më të fuqishëm. Kadri Veseli e fundosi Isa Mustafën. E tradhtoi atë. E fundosi me armën e Mustafës, nëpërmjet të cilës ishte bërë kryeministër.