Kuçi: Mali i Zi i ofroi Mustafës rishikimin e demarkacionit por ai se pranoi

Kuçi: Mali i Zi i ofroi Mustafës rishikimin e demarkacionit por ai se pranoi

Hajredin Kuçi, njeriu i dytë i Qeverisë i cili vjen nga radhët e PDK-së ka folur ato që nuk janë thënë deri më sot.

Bisedimet dhe takimet që kanë ndodhur mes liderëve të koalicioneve ai i ka thënë në publik.

Tregon se si e lutën Isa Mustafën që të vetë-shpërndanin Kuvendin por që sipas tij, Mustafa nuk ka pranuar.

Hajredin Kuqi tha se ai ka qenë në një takim të kryeministrit të Malit të Zi dhe Isa Mustafes, ku ai i Malit të Zi ka thënë që ata mund ta rishikojnë marrëveshjen ndërsa, siç thotë Kuçi, Isa Mustafa nuk e ka bërë.

Ai në emisionin “Zona B” në Klan Kosova ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk i ka zbuluar të gjitha mundësitë për demarkacionin.

“Në një takim me kryeministrin e Malit të Zi, ku kam qenë edhe unë, kryeministri ynë nuk i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë. Pala malazeze ka shprehur vullnet për gjetjen e një zgjidhje për demarkacionin, mirëpo ka munguar vullneti nga ana jonë”, tha ai.

Kuqi kur u pyet përse e kanë shkelur marrëveshjen themelore mes PDK-së dhe LDK-së, tha se nuk kanë shkelur marrëveshje por që kanë menduar se është krijuar një situatë e pashpresë në Kosovë, andaj kanë kërkuar rrëzimin e Qeverisë.

“Në të gjitha takimet ju kemi thënë që po bëjmë dalje nga Qeveria me marrëveshje. Është përmendur një marrëveshje për tre muaj. Ne kemi thënë po e prishim koalicionin dhe shkojmë zgjedhje në qershor, ju keni kërkuar në shtator. Mustafa më ka pyetur pse në qershor e kam pyetur pse në shtator”, tha Kuqi.

“Kur e shohim se në një vend nuk po ecin gjërat si duhet mendojmë se duhet të sjellim rifreskim në skenën politikë. kemi mendu se do të ketë gjallëri. Aksidentalisht i jemi bashkuar partive tjera për rrëzimin e Qeverisë”, tha Kuqi, i cili në debat në Klan përball Kujtim Shalës, as edhe një herë të vetme në më shumë se 10 herë i pyetur nëse ka pakënaqësi në qeverisjen që kanë bërë, nuk e pranoi që kishte pakënaqësi në qeverisje.