Të pagjeturit serb dhe shqiptar jehojnë ne Venecia

Të pagjeturit serb dhe shqiptar jehojnë ne Venecia

“Sebahate Berisha, Sahit Mazreka, Dushan Andrijeviq…” janë vetëm tre nga emrat që i thërret tellalli. Ilirian Simoni me tupan në krah duke ecur ngadalë nëpër rrugicat e pavijoneve në “Giardinit”, ngre zërin duke bërë që të dëgjohen emrat e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Ka goxha punë pasi janë 1.664 emra. Secili prej tyre do të kumbojë shumë herë në njërën nga hapësirat kryesore të pavijoneve në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie.

“Lost and Found” (E humbur dhe e gjetur) e ndërtuar nga paletat e drurit, veshur me najlon të cilin autori, Sislej Xhafa, e ka importuar nga Kosova. Kabina është e mbështjellë si kufomë e madhe që nuk bëzan. Taman siç u janë kthyer familjeve mbi tre mijë mbetje mortore të të zhdukurve të luftës së fundit të cilat qëndronin në varreza masive në Kosovë e Serbi.

Në skaje të Pavijonit të Kosovës prej 84 metrash katrorë, një mbishkrim tregon se bëhet fjalë për persona të pagjetur emrat e të cilëve i thërret tellalli. Vizitorët krijojnë idenë se emrat mund t’i dëgjojnë në telefonin që ndodhet në kabinën pa hyrje. E marrin receptorin dhe e kuptojnë se ai nuk funksionon.

Simbolikat ndërlidhen fort në secilin element në Pavijonin e Kosovës. Ata që e marrin katalogun kryesor, shohin se në kopertinë me hekur të nxehtë është hapur “plaga”, “SS LJ XH FA”.

Aty mungojnë disa shkronja me të cilat do të duhet të formohej emri i artistit. Pas emrave të të zhdukurve në anglisht e në shqip vjen poezia e Ali Podrimjes “Dua të jem”.(Koha Ditore)