
Nga agjencitë më të njohura të lajmeve ndërkombëtare e deri tek gazetat lokale franceze, është raportuar për rrahjen e politikanes kosovare, Arbana Xharra.
“Gazetarja e bërë politikane rrahet në Kosovë”, është titulli i agjencisë së njohur të lajmeve Reuters, e cila thekson se Xharra ka qenë kritikuese e madhe e PDK-së dhe partive të tjera, kur merrej me gazetari.
Lajmi për rrahjen e Xharrës ka qenë fokus edhe në mediet holandeze, raporton Insajderi.
Mediumi “Nederlandse Omroep Stichting” (NOS) thekson faktin se Xharra ka qenë kryeredaktore e njërës prej gazetave më të mëdha në Kosovë, përpara se të futej në politikë.
“Ish-gazetarja përfundon e rrahur në spital”, shkruan mediumi holandez “NOS”.
Ndërsa në Francë, gazeta lokale e qytetit të Lorientit “Lorient De Jour” raporton se “është rrahur gazetarja e njohur për shkrimet e saj për korrupsionin, krimin e organizuar dhe islamin e radikalizuar”.
Siç shkruan “Lorient De Jour”, gazetarët janë shënjestër e zakonshme e sulmuesve në Ballkan. /Insajderi.com