Kur Isa Mustafa e quante “hipokrit” Ilir Dedën

LDK-ja e Isa Mustafës ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Alternativën, njërin nga themeluesit e së cilës lëvizje e kishte quajtur "hipokrit".

Kur Isa Mustafa e quante “hipokrit” Ilir Dedën

Kur Isa Mustafa ishte nominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në shkurt të vitit 2014, vetëm katër muaj para zgjedhjeve nacionale të vitit 2014, ai nuk ia kishte mbushur mendjen Ilir Dedës. Ish-anëtari i Vetëvendosjes, që asokohe nuk bënte pjesë në asnjë parti politike, e cilësoi Mustafën të papërshtatshëm për kryeministër.

E për këtë deklaratë të Dedajt, kishte reaguar Mustafa. Në një intervistë me Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK), më 14 shkurt të vitit 2014, kryeministri në largim i Kosovës e quajti “hipokrit” Dedën.

Mustafa kishte treguar se Deda ishte takuar me të dhe i kishte kërkuar bashkëpunim me LDK-në.

“Kjo e Dedës më duket pak hipokrizi, t’ju  them të drejtën. Sepse, Ilir Deda ka ardhur tek unë në gjysmën e dhjetorit të vitit të kaluar, ka kërkuar, nuk e kam thirrur unë, ka kërkuar që të takohemi. Ka ardhur tek unë në zyre, me një koleg të tij, dhe kanë ofruar që të bashkëpunojnë me ne”, kishte rrëfyer Mustafa.

Kryetari i LDK-së ka thënë se me Dedën ishte takuar edhe një herë tjetër, njofton Insajderi.

“Unë jam takuar edhe një herë pas kësaj me të. Nuk kanë kërkuar saktë asgjë, por e kemi lënë që të ulemi edhe një herë të bisedojmë lidhur me modalitetet”, kishte deklaruar Mustafa.

Por, pas më shumë se tre vitesh qeverisje me Mustafën si shef të qeverisë, Mustafa dhe Deda kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi. Deda, bashkëthemelues i lëvizjes, Alternativa, dhe Mustafa si kryetar i LDK-së kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet e ardhshme nacionale.

E në nënshkrimin e marrëveshjes sot, Deda deklaroi se marrëveshja e bashkëpunimit me LDK-në e Mustafës ka qenë i lehtë për t’u realizuar.

“Është me rëndësi që ky bllok i gjerë ka me i dhanë fund PDK-së. Ky është mesazhi kyç. Ky koalicion në nivel programi ka qenë lehtë me u realizu”, ka thënë Deda, i cili është nënkryetar i lëvizjes së krijuar në tetor të vitit të kaluar.

Deda, para zgjedhjeve nacionale të vitit 2014 kishte aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Pas dy vitesh në VV, ai ishte larguar nga kjo lëvizje.

Zgjedhjet nacionale në Kosovë pritet të mbahen më 11 qershor. /Insajderi.com