FMN kërkon të mos ketë premtime për rritje pagash

FMN kërkon të mos ketë premtime për rritje pagash

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 11 qershor , përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në Kosovë , Ruud Vermeulen, ka kërkuar maturi në zotime fiskale.

“Tani, është e rëndësishme që të sigurohen veprime të fuqishme të politikave, duke përfshirë disiplinë fiskale, meqë ato janë thelbësore për të përshpejtuar konvergjencën e të ardhurave dhe për të trajtuar papunësinë e lartë në vend. Të gjitha zotimet fiskale dhe veprimet përkatëse duhet të jenë në përputhje me rregullën fiskale dhe ligjin për pagat e sektorit publik.”, thuhet në deklaratën për media të Vermeulen.

Ndërsa, lidhur me statusin e programit të mbështetur nga Fondi, duke pasur parasysh zgjedhjet e përgjithshme të paralajmëruara për muajin e ardhshëm, Fondi vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e Kosovës gjatë mandatit të tij, si dhe është i gatshëm të angazhohet me qeverinë e re pas zgjedhjeve, njofton rtklive.

“Gjatë dy viteve të kaluara, objektivat e përgjithshme të programit kanë qenë përmirësimi i situatës fiskale, ruajtja e stabilitetit financiar dhe krijimi i kushteve për rritje të qëndrueshme. “, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të FMN-së në Kosovë.