Pacolli lë të hapur mundësinë që VV t’i bashkohet koalicionit LDK-AKR

Pacolli lë të hapur mundësinë që VV t’i bashkohet koalicionit LDK-AKR

Kryetari i Aleancës për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli ka dhënë arsyet pse partia e tij u kërkua nga të gjitha subjektet politike për të bërë koalicion. Sipas tij krejt kjo ka ndodhur për shkak se AKR-ja ka një rritje të madhe nga zgjedhjet e kaluara.

“AKR tregoi në këtë proces se është parti me identitet të qartë. AKR tregoi se është parti e vlerësuar nga të gjithë për këtë identitet. AKR si u pranua nga të gjithë se është parti që ka rritje që nga zgjedhjet e fundit. Pikërisht për këtë arsye AKR u kërkua për koalicion nga të gjithë. Kush na sulmon sot është hidhëruar me veprimin tonë, por ne e dimë se do sulmoheshim në të gjithë rastet”, ka shkruar Pacolli.

Më tutje Pacolli koalicionin me LDK-në, e ka quajtur koalicion i shpresës për Kosovën duke theksuar se këto dy parti me vepra do të tregojnë se ndërtohet Kosova e re.

“Ne do ta tregojmë me vepra pse ne do të sjellim shpresën dhe si do ta ndërtojmë Kosovën e re. Por më parë dua të them diçka për AKR-në. Ne e thamë që në fillim se do të bënim koalicion me atë parti me të cilën do të mirëkuptoheshim për programin tonë ekonomik për zhvillim të vrullshëm, për rritje ekonomike mbi 10% që në dy vjeteshin e parë të mandatit tonë. Ne arritëm mirëkuptim me thuajse të gjithë. Dhe me Vetëvendosjen ne arritëm shumë mirëkuptim, ani pse jo në çdo pikë të programit tonë ekonomik”, ka shkruar Pacolli.

“Ne do të qeverisim me më të mirët. Ne do ta zhvillojmë Kosovën shumë shpejt, duke e nxjerrë nga bataku ku ka rënë. AKR erdhi në koalicion me LDK-në, pas një fakti të ri”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli kandidimin për kryeministër të koalicionit LDK,AKR, Alternativa, Avdullah Hoti e ka krahasuar me vendet nordike, si Suedia Norvegjia, Zvicra dhe vende të tjera.

“Isa Mustafa i la rrugën një eksperti të ri, ministrit aktual të financave që të provojë të udhëheqë një skuadër qeveritare. Avdullah Hoti i nominuar për kryeministër është një teknokrat i dorës së parë, që kurrë nuk është përfolur për ndonjë aferë. Avdullah Hoti ka arritur suksese në spastrimin e administratës tatimore dhe doganore nga të korruptuarit, duke krijuar shumë pakënaqësi tek të korruptuarit. Një kandidat jopopulist është përzgjedhje tipike e vendeve nordike, e Suedisë, e Norvegjisë, e Danimarkës, e pse jo e Zvicrës, etj”, ka shkruar Pacolli

Pacolli ka shprehur keqardhje që nuk është arritur koalicioni edhe me Vetëvendosjen por Pacolli ka lënë rrugë të hapur ende që kjo parti dhe siç ka thënë ai njerëz të devotshëm të i bashkohet këtij koalicion.

“Ne do të sjellim shumë shpejt liberalizimin e vizave. Ne na vjen keq për Vetëvendosjen që nuk është e përfshirë në koalicionin tonë, por ky koalicion mbetet i hapur për gjithë njerëzit e devotshëm të kësaj partie”, ka shkruar Pacolli./Insajderi.com