Delawie-Gjyqtareve: Luftojini kriminelët

Delawie-Gjyqtareve: Luftojini kriminelët

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në Konferencën Rajonale të Grave Gjyqtare dhe Prokurore në Prishtinë, u ka bërë thirrje grave gjykatëse e prokurore t’i luftojnë kriminelët.

Në këtë konferencë morën pjesë gra prokurore e gjykatëse nga Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Rumania, me ç’rast Delawie u shpreh se gratë nuk kanë zë në Ballkan, por se kjo situatë po ndryshon.

“Gratë jo gjithmonë kanë një zë potent në Ballkan, siç e dini edhe ju, fatmirësisht kjo situatë po ndërron dhe konferencat si kjo dëshmojnë se sa ka përparuar Ballkani në këtë fushë, por ende ka shumë punë për t’u bërë”, ka thënë ambasadori amerikan.

Delawie ka shtuar se kjo konferencë shtyn në diskutim të përbashkët rajonal dhe në eksplorim zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet sektori i drejtësisë.

“Si pjesë e sistemit të drejtësisë ju duhet të jeni ato që udhëheqin ndryshimin duke e përmirësuar ligjin”, përfundoi ai. /Insajderi.com