Pas raportimit nga partia NISMA se në selinë e tyre ka tentuar të hy një person i armatosur me armë të ftohtë, lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Veçse personi në fjalë sipas policisë është me probleme mendore dhe ka qenë i zhdukur që disa ditë.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë për Insajderin se rasti ka ndodhur rreth orës 22:21, ku PK ka pranuar informata se një person gjendet brenda rrethojave të një objekti në rrugën “Mujo Ulqinaku” në lagjen Pejton në Prishtinë.
Pikërisht aty gjendet edhe selia qendore e NISMA-s.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë hasur në një person që dyshohet të ketë probleme mentale. I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor-Qendra për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Kelani.
E personi në fjalë kishte kohë që ishte zhdukur.
“Sipas familjarëve, personi më herët është raportuar i zhdukur dhe ka probleme mentale. Rasti është duke u trajtuar sipas procedurave të mëtutjeshme policore”, ka thënë Kelani nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës./Insajderi.com