Veseli: Fshati Izbicë, lëndinë e dhimbjes dhe krenarisë

Veseli: Fshati Izbicë, lëndinë e dhimbjes dhe krenarisë

Në 17 vjetorin e rënies së 150 civilëve në fshatin Izicë të Skenderajt, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se ky fshat është një lëndine e dhimbjes dhe e krenarisë.

“Ne ndjejmë dhimbje, sepse këtu, në pranverën e rëndë të vitit 1999, forcat ushtarake serbe, masakruan qindra burra e djem të pafajshëm të kësaj zone të lavdishme të Drenicës, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse nuk donin të jetonin të përbuzur e në robëri.  Por, ne, ndihemi edhe krenarë, sa herë që vijmë në këtë lëndinë të Izbicës, krenarë, sepse ëndrra e tyre për Kosovën e lirë u bë realitet”, ka thënë Veseli.

“Kjo ishte ëndrra edhe e atyre mijëra martirëve që ranë në Reçak, Krushë e Rezallë, në Meje e Suharekë, në Gjakovë e Podujevë, në çdo fshat e qytet të Kosovës”, ka thënë Veseli, duke shtuar se “ne nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e tyre”.

Veseli e ka shfrytëzuar këtë rast për të folur edhe për situatën politike në vend.

“Është koha t’i lëmë anash inatet e momentit, interesat e ngushta, e të punojmë së bashku për të mirën e vendit tonë.  Kosova ka nevojë për energjinë dhe kontributin e secilit. Ata që dje synuan ta shkatërrojnë Kosovën, sot ëndrrojnë ta shohin duke dështuar”, ka shtuar ai./Insajderi.com