“Suksesi” i arritur në Bruksel: Pesë inspektorë serbë marrin paga, por nuk punojnë

“Suksesi” i arritur në Bruksel: Pesë inspektorë serbë marrin paga, por nuk punojnë

Pesë inspektorë të Inspektoratit të Punës, që do të duhej të kryenin detyrat në pjesën veriore të vendit – Goran Vukojeviç, Ivan Jaksiç, Srecko Sofronijeviç, Veljko Andjelkoviç dhe Vladan Radi – nuk dërgojnë asnjë raport të punës së tyre tek autoritetet në Prishtinë.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, thotë se ata janë të punësuar, marrin rrogë, por siç thotë ai, ende nuk ka pasur kontakt me këta inspektorë, të cilët paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

“Ata ende nuk kanë filluar funksionimin e tyre. Në Inspektorat të Punës nuk janë të lajmëruar. Ata janë të punësuar marrin rrogë, por janë të punësuar në bazë të marrëveshjes së Brukselit, kjo është çështje politike që ka të bëjë me integrimin e tyre. Në të gjitha institucionet ka shkuar kështu. Ne i kemi vetëm të evidentuar si punëtorë, por që kontakte me ta nuk kemi”, thotë Ibrahimi.

Të enjten, Preportr ka publikuar një hulumtim lidhur me punën e inspektorateve. Sipas këtij hulumtimi, Inspektorati i Punës inspekton vetëm rreth 10% të bizneseve brenda vitit, ndërsa ai i shëndetësisë rreth 40%.

Në Kosovë, një numër i konsiderueshëm i inspektorateve janë themeluar gjatë vitit 2006. Pavarësisht që me anë të kompetencave inspektoratet janë në nivel shumë të lartë hierarkik, hulumtimi i Preportr identifikon se inspektoratet nuk kanë dhënë rezultate konkrete në fushën e zbatimit të ligjeve prej themelimit të tyre e deri më tani./Insajderi.com