Kurti: Kurbeti nuk do të jetë zgjidhja e vetme për zbutjen e papunësisë

Kurti: Kurbeti nuk do të jetë zgjidhja e vetme për zbutjen e papunësisë

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Klinë, ka thënë se, edhe atje ka dëgjuar nga qytetarët të njëjtin problem, papunësinë.

“Kudo shkojmë nëpër Kosovë, problemi është i njëjti, papunësia. Këtë na i thanë edhe qytetarët e Klinës”, ka shkruar Kurti në facebook.

Por ai ka thënë se plani i Vetëvendosjes për shtetin zhvillimor, do të krijojë vende të qëndrueshme pune.

“Por plani i Lëvizjes për shtetin zhvillimor, me fokus tek mbrojtja e sipërmarrjes së vogël e të mesme dhe tek ri-industrializimi, do të sjellë vende pune të qëndrueshme për Klinën e për gjithë Kosovën”, ka shtuar Kurti.

Madje ai ka thënë se kurbeti nuk do të jetë zgjidhja e vetme për zbutjen e papunësisë.

“Kurbeti nuk do të jetë më e vetmja zgjidhje sepse së bashku do ta ndërtojmë perspektivën tonë këtu, në vendin tonë”, ka thënë kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër./Insajderi.com