Mali i Zi thotë se Demarkacioni është problem politik i Kosovës

Mali i Zi thotë se Demarkacioni është problem politik i Kosovës

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, ka thënë se nuk e sheh si problem çështjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke shtuar se tashmë shteti i tij e ka përfunduar këtë proces.

“Ne nuk e shohim këtë çështje si një pengesë, sepse ne e kemi përfunduar këtë proces. Ne thjesht i kemi pranuar kufijtë nga koha e ish-Jugosllavisë. Këtë kufi e ka konfirmuar edhe një komision ndërkombëtar”, ka thënë Darmanoviq.

Demarkacionin ai e sheh më shumë si problem politik në Kosovë mes qeverisë dhe opozitës.

“Ne në Vjenë kemi nënshkruar një marrëveshje me Kosovën dhe kjo marrëveshje është miratuar në Parlamentin e Malit të Zi. Ky është një problem që ka të bëjë më shumë me luftën politike në Kosovë, me parlamentin e tyre, me luftën mes qeverisë dhe opozitës”, ka shtuar ai gjatë një interviste për Deutsche Welle.

Ai ka thënë se Mali i Zi nuk e ka problem ta presë Kosovën për ta përfunduar këtë çështje.

“Por ne besojmë se do të vijë momenti kur partitë politike në Kosovë të krijojnë shumicën e duhur për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare. Ne jemi të durueshëm dhe nuk kemi kurrfarë problemi të presim derisa të vijë momenti i duhur”, ka thënë ndër tjera Darmanoviq./Insajderi.com