Hoti: Vetëm ne i rrisim pagat dhe pensionet, të tjerët po mashtrojnë

Hoti: Vetëm ne i rrisim pagat dhe pensionet, të tjerët po mashtrojnë

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten në Prizren që nga janari 2018, programi ynë parasheh trefishimin e subvencione për bujqësinë.

“Ne ju garantojmë bujqve dhe fermerëve që subvencionet e shtetit do t’i marrin ata, e jo grupet kriminale që i kanë marrë në emër të tyre, e tash po akuzohen për mashtrim”, ka thënë Hoti.

Ai ka paralajmëruar edhe zëvendësimin e pajisjeve bujqësore të cilat janë bukur shumë të vjetruar.

“Ndër masat e para në fushën e fuqizimit të bizneseve do të jetë krijimi i një Fondi Zhvillimor për të përkrahur biznesin vendor dhe fuqizimi i skemës së garantimit të kredive. Nëpërmes këtyre masave, ne parashikojmë që norma e papunësisë të jetë në numër njëshifror, ndërsa paga minimale në sektorin privat dhe atë publik të jetë 210 euro bruto”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se paga mesatare, pensionet dhe bursat për studentë do të rritet për çdo vit, në harmoni me rritjen ekonomike në vend.

“Mos u mashtroni me premtime elektorale për rritje pagash e pensionesh. Ato premtime janë të pa bazuara në ligj dhe janë të pamundshme. Vetëm programi ynë mundëson rritjen e pagave e pensioneve. Sepse vetëm programi ynë garanton rritje ekonomike. Rritjen e pagave ne do ta bëjmë çdo vit, mbi bazën e rritjes ekonomike të Kosovës. Ne kemi plan konkret për t’ia paguar një vit pune secilit të ri që diplomon, në mënyrë që secili prej tyre të përgatitet edhe praktikisht për tregun e punës”, ka thënë Hoti.

Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se koalicioni ynë ka program të harmonizuar.

“Ky program i garanton Kosovës zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, mirëqenie sociale, arsimim e shërbim shëndetësor cilësor. Çka është kryesorja, ne jemi të vetmit që kemi demonstruar vendosmëri dhe jemi të përkushtuar ta luftojmë pa kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta mbrojmë vendin tonë prej terrorizmit”, ka thënë Mustafa.

Presidenti i AKR-së, Behxhet Pacolli ka thënë se Presidenti Rugova e ka përmendur shumë shpresën, e neve qytetarët po na quajnë koalicion të shpresës. “Ne jetësojmë shpresën. Prandaj, më 11 qershor, votojeni këtë koalicion. Ardhmëria është në duart tuaja. Personalisht, me krejt çka posedoj e mbështes këtë koalicion dhe profesor Hotin”, ka thënë Pacolli.

Mimoza Kusari Lika, kryetare e Alternativës ka thënë se ne gjithmonë e kemi lakmuar Prizrenin, sidomos për infrastrukturën.

“Por, jo të njëjtën na e thonë qytetarët e Prizrenit. Ata thonë se Prizreni është i të gjithëve, por jo i prizrenasve, për arsye se është qeverisur nga e njëjta qeveri që qeveris me Kosovën tash e dhjetë vjet. E njëjta qeverisje që e sheh Prizrenin veç si makineri votash dhe asgjë tjetër”, ka thënë Kusari Lilaj.