Pacolli: Do ta themelojmë Berzën e Kosovës

Pacolli: Do ta themelojmë Berzën e Kosovës

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli u kërkon bizneseve të ndërlidhen me ekonominë globale. Ai ka thënë se edhe Trepça do të shpëtojë nga kjo ndërlidhje, pa e ndryshuar pronësinë.

Kështu ka thënë Pacolli para investitorëve dhe biznesmenëve në një konferencë të organizuar nga koalicioni AKR-LDK-LD-Alternativa.

“Zhvillimi ekonomik me rritje 8%, krijimi i vendeve të punës deri në 70 mijë vetë. Gjithashtu ne do ta themelojmë agjencinë e pavarur të participimeve që të mos e shesim pronën tonë, do të ftojmë investitorët që të fillojnë aktivitetet e tyre në fabrikat që nuk janë në funksion”, ka thënë Presidenti i AKR-së,

Ai ka thënë se, qysh në fillim të qeverisjes do të jetësohen tri zonat e lira ekonomike – në Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren, si dhe do të themelohet edhe Berza e Kosovës.

Pacolli më tutje ka treguar edhe për planin e krijimit të tregut të përbashkët gjithëshqipëtar, i cili sipas tij, është shumë i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve më të mëdhenj.

“Do ta zhvillojmë industrinë përpunuese. Kemi fuqi punëtore të lirë dhe duhet të ecim përpara. Edhe të rinjtë tanë do të gjejnë punë sepse ne kemi një praktikë për këtë. Na mbështesni për këto gjëra.”, ka thënë presidenti Pacolli , duke shpjeguar metodat e zhvillimit të cilat janë përdorur nëpër vende të zhvilluara si dhe për mundësinë e aplikimit të tyre edhe në Kosovë.

“Trepça do te trajtohet sipas metodologjisë së PPP-ve gjithmonë duke involvuar kompani globale por vetëm në menaxhim jo në pronësi, Trepça do te jetë gjithmonë pronë e Kosovës”, ka theksuar presidenti i AKR-së.

Ai ka akuzuar institucionet për shkatërrim të maleve nga gurthyesit, si dhe shkatërrimin  e lumenjve , të cilët sipas tij janë kthyer nëpër humnera të eksploatuesve të egër, thuhet në komunikatën e kësaj partie./Insajderi.com