Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur pleh dhe baltë në zyrën qendrore të kompanisë për shpërndarje të energjisë, KEDS.
Sipas partisë më të madhe opozitare në vend, aksioni u realizua sepse kjo kompani po varfëron qytetarët e Kosovës.
”Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! realizuan një aksion simbolik, për ta shprehur kështu simbolikisht që kjo është çka kjo ndërmarrje meriton sepse po varfëron çdo ditë e më shumë qytetarët e Kosovës”, thekson Levizja Vetëvendosje.
“Përveç çmimit që po na rritet çdo vit, e vitin e fundit 2 herë në vit, paguesve të faturave, qytetarëve të Kosovës për vite të tëra paligjshëm u është vendosur në faturë dhe barra e mospagesës së banorëve në veri të vendit dhe në komunat e tjera me shumicë serbe. Bashkë me to janë shtuar dhe humbjet që vinë nga hajnia e rrymës, të cilën përgjithësisht e bëjnë të fortët e pushtetit. Ato janë emërtuar “humbje komerciale”. Një emër tjetër për ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë dhe hajninë e rrymës”, thuhet në një komunikatë të VV-së.
Disa ditë më herët, Vetëvendosje kishte reaguar për mashtrimet që sipas tyre bëhen përmes njehsorëve elektrik të vendosur KEDS./Insajderi.com