Intervistë me Visar Duriqin, gazetarin që ka hulumtuar Lavdrim Muhaxherin

Vdekja e Muhaxherit zhdukë “xhematin e shqiptarëve” në ISIS, por hakmarrja mund të ndodhë

Vdekja e Ridvan Haqifit para disa muajsh dhe tash vdekja e Lavdrim Muhaxherit - dy figurat kryesore të Kosovës në ISIS – është një shuarje e "xhematit të shqiptarëve" në brigadën e të huajve në ISIS. Kosovarët e mbetur në Siri tashmë janë bërë arab por për ISIS vrasja e shqiptarëve nuk është diçka domethënëse. Por a mund të ketë një hakmarrje të shokëve të Haqifit e Muhaxherit në Kosovë? Gazetari i parë që ka hulumtuar mbi biografinë dhe rrugëtimin e Muhaxherit drejt majave të ISIS-it, Visar Duriqi, flet për Insajderin në një intervistë ekskluzive për ndikimin e vdekjes së Muhaxherit, rrezikun nga “grupet e fjetura” të ekstremistëve nëpër Kosovë e deri tek paaftësia e shtetit për t’i pasur nën kontroll këto lëvizje radikale që mund të prodhojnë akte terroriste.

Vdekja e Muhaxherit zhdukë “xhematin e shqiptarëve” në ISIS, por hakmarrja mund të ndodhë

Insajderi: Pas vrasjes së Ridvan Haqifit dhe tash të Lavdrim Muhaxherit, cila mund të jetë përbërja e re drejtuese e shqiptarëve në ISIS?

Duriqi: Është interesant që pos këtyre dyve në ISIS shqiptarët nuk kanë pasur figura të famshme. Deri tash pas tyre i famshëm në këtë organizatë ka qenë edhe Fitim Lladrovci, por tash ai gjendet në burg në Kosovë. Shqiptarët kohën e fundit në ISIS kanë humbur ndikimin. Kanë pasur dhe një person shumë aktiv në propagandë me emrin “Ebu Musab Al-Albani”, por edhe ai me gjasë është vrarë edhe pse i njëjti ka qenë më shumë i njohur si zyrtarë për informim  në ISIS dhe ka mbajtur propagandën shqip. Dihet tash që faqja e ISIS në gjuhën shqipe “khilafetis.wordpress” nuk punon që nga Prilli dhe duket që aty ka qenë edhe koha kur vritet “Abu Musabi”.

Insajderi: Vdekja e Lavdrim Muhaxherit a do të thotë shpërbërje e grupacionit të kosovarëve në ISIS?

Duriqi: Edhe zyrtarët shtetërorë thanë së fundi që nuk kanë mbetur shumë kosovarë atje, edhe pse të rinj janë bashkangjitur. Vrasja e tij dhe e Haqifit do të thotë më shumë që shqiptarët e mbetur atje do të asimilohen- më nuk do të ekzistojë “xhemati i shqiptarëve” në brigadën e të huajve në ISIS.

Shqiptarët që janë që nga 2013-ta atje veç kanë filluar integrimin o në shoqërinë siriane o në atë irakiane kështu që ata që do të shpëtojnë nga strategjia e re e koalicionit anti-ISIS që është vrasje masive e militantëve, dhe pritet që ata të integrohen në shoqëritë atje. Së fundi kam parë që në rrjetet sociale madje edhe mes vete komunikojnë ne gjuhën arabe, pra shqiptarët e pakët që kanë mbetur aktiv aty.

Insajderi: Cila prej këtyre vrasjeve është më rënda për ISIS-in dhe pse?

Duriqi: Fatkeqësisht për ISIS vrasja e shqiptarëve nuk është diçka domethënëse. ISIS është brend. Flamuri i zi është ISIS. Nuk është as Abu Baker Al Bagdadi gjithçka në ISIS. Edhe nëse ai vritet ISIS do të mbijetojë edhe për një kohë. ISIS ka menaxhuar që të krijoi diçka që organizatat tjera terroriste as nuk e kanë ëndërruar: Khalifatin, dhe kjo do të thotë që në vazhdimësi  ata do të kenë radikalë islamikë që do tu bashkohen.

Në fund të viti 2009 ShBA mendoi që e shkatërroi Al-Qaeda në Irak (AQI), por në fund të 2012 kjo organizatë që sot është thelbi i ISIS u ringjallë pothuajse nga hiri.

ISIS siç shihet në propagandën e tyre me video kanë investuar shumë më trajnimin e fëmijëve nga mosha 6 vjeçe e tutje në terror, përfshirë edhe përdorimin e armëve. Kjo u garanton vazhdimin e llojit. Kujtojmë pak se tash po bëhen mbi 3 vite e një fushate ajrore intensive nga dhjetëra ushtri nga më të fuqishmet në botë dhe ISIS po mbijeton fuqishëm.

Insajderi: Cili mendon se do të jetë ndikimi i këtyre vrasjeve në Kosovë, a ka rrezik për ndonjë hakmarrje të brendshme, sulm në Kosovë nga struktura të ISIS-it?

Duriqi: Në Kosovë veç frikësohem se kjo do ta rris numrin e kosovarëve që do të bashkëngjiten ISIS-it. Komentet dhe pëlqimet për atë që ka bërë Lavdrimi së fundi, pra ‘ramja e tij shehid’ është e frikshme.

Ajo çka në Kosovë mund të ndodh është ndonjë sulm i aty për atyshëm nga familjarët e Muahxherit nëse shoqëria civile a mediat insistojnë të ju ofrohen. Ndoshta as organet e shtetit s’do të kalojnë më lehtë nëse tentojnë të vënë kontakt me familjen qe në përgjithësi nuk ka qenë krejt kundër veprimeve të tij.
Kosova është gjatë në axhenden e ISIS për sulme, por Kosova po ashtu është e stërmbushur me njerëz të shërbimeve intelegjente, vendorë e ndërkombëtarë.

Insajderi: A ka fakte dhe shenja të ekzistimit të ISIS-it në Kosovë si strukturë e organizuar, duke pasur parasysh raportimet se shumë militant kosovar të ISIS-it janë kthyer në vendin e tyre?

Duriqi: Janë disa zona që ka më shumë përkrahës të ISIS si Gjilani fjala bie, ose dhe Kaçaniku në përgjithësi, por deri tash për shkak të asaj që thash: numri i madh të agjenturave u ka lënë pak hapësirë për të krijuar strukturë edhe pse të ashtu-quajturat “celulat e fjetura” kanë befasuar edhe agjencitë më të zhvilluara të inteligjencës në botë. Ajo çka shihet së fundi është një koncentrim më i madh i të rinjve me ide ekstremiste kah Fushë Kosova dhe atë me biznese krejt të vogla por që mund të garantonin me fitimet e tyre investimin e ndonjë operacioni terrorist.

Kam parë së fundi në rrjetet sociale shqiptarë nga Maqedonia duke publikuar rripa më ekspolizivë që përdoren për sulme kamikaze ku shkruanin “Shkupi”- që tregon që atje mund të përgatitet diçka. Kosova dhe Maqedonia nuk janë larg në rast planifikimesh për sulme terroriste. Megjithatë, nuk ka ndonjë grup shumë të organizuar deri tash në strukturë derisa ka në disa vende malore në Kosovë grupe të rinjsh shumë të radikalizuar madje që kanë ushtruar së bashku me armë pas kohëve të namazit në xhami që i kanë bërë së bashku po ashtu.

Insajderi: Cili është roli i shtetit të Kosovës në gjithë këtë histori, a kanë ata njëmend qasje dhe kontroll në lëvizjet dhe veprimet e kosovarëve pjesë të ISIS-it?

Duriqi: Për të ardhur keq është roli i autoriteteve në vend. Ajo që është më e frikshme është fakti që autoritete kosovare, me theks të veçantë Policia, mendojnë që kanë nën kontroll gjithçka dhe kjo i bënë që terroristët të kenë më shumë hapësirë.

Një problem tjetër në vete është mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve të ndryshme përgjegjëse për këtë fushë ku ka raste që për një person që një institucion ka një dosje të madhe institucioni tjetër e ka “Person me Interes”, por nuk ia di as se ku e ka banesën. Mungesë e ndarjes së informacionit dhe tendencë për të luajtur edhe institucionet rolin e mediave “kush e ka më ekskluziven”.

Pastaj problemi kryesor del të jetë mungesa e njohjes së kulturës mbi të cilën. janë zhvilluar këto grupe terroriste në botë, pra mungesa e njohës së Islamit në vetvete që i bënë që o të jenë racistë ndonjëherë në veprime dhe të rezulton me padrejtësi ose shumë të butë në raste tjera dhe të lirohen kriminelë siç ka ndodhur me lirimin e imamëve që po bënin haptazi thirrje për rrënim të rendit kushtetues të vendit dhe sjelljen e Shadiatit./Insajderi.com