Votat e pavlefshme arrijnë në 7.2%

Votat e pavlefshme arrijnë në 7.2%

Zgjedhjet e mbajtura me 11 qershor, treguan për një rritje masive apo gati dyfishim të votave të pavlefshme, me një përqindje të frikshme,- rreth 7.2 përqind. Votat e pavlefshme në përqindje më të larta janë në bastionet e PDK-së, fenomen ky i dokumentuar edhe në zgjedhjet lokale.

Numri i qytetarëve që nuk kanë ditur të votojnë në këto zgjedhje apo që kanë votuar gabimisht, pothuajse është dyfishuar në raport me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014. Zgjedhjet e vitit 2017, nxorrën të pavlefshme një sasi rekord të votave. Nga 750 mijë votues që dolën në zgjedhjet e 11 qershorit, të pavelfshme u shpallën plot 7.2 përqind apo shprehur me numra , gati 55 mijë vota të pavlefshme.

Votat e pavlefshme në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014 ishin 4.47 përqind, apo një rritje shumë e vogël krahasuar me votat e pavlefshme të 2010. Në zgjedhjet e mbajtura gjatë këtij viti,- në 2010, votat e pavlefshme ishin në nivelin e 4 përqindëshit, apo saktësisht 4.14 përqind.

Në bastionet e PDK-së, prin Drenasi me 2,446 vota të pavefshme ndërsa në Skenderaj ishin 1,966.

Shqetësim për numrin e madh të votave të pavlefshme përveç Partisë Demokratike të Kosovës, shprehu edhe Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim.

“Gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ka pasur incidente serioze, por që janë regjistruar parregullësi gjatë votimit si cenim i fshehtësisë së votimit që është shprehur permes votimit familjar, votimi jashtë kabinave të votimit. Po ashtu, ai tha se pasaktësia e listës së votuesve vazhdon të mbetet element negativ në të gjitha proceset zgjedhore. Si dhe numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme ështe shqetësues”, tha Albert Krasniqi nga organizata KDI.

PDK shprehu shqetësim veçmas për komunën e Drenasit, Betim Berisha nga Dega e PDK-së në Drenas, ka thënë se koalicioni PAN është dëmtuar nga rreth dy mijë fletëvotime të pavlefshme.

Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se ky trend po përsëritet në të gjitha zgjedhjet e parakohshme, njofton rtklive.com

​“Afatet e shkurta ndikojnë edhe në informimin publik, sidomos votuesit e rinj nuk dinë të votojnë. Ka ndoshta edhe arsye të tjera, edhe pse ne në fakt nuk e dimë saktësisht pse fletëvotimet janë të pavlefshme. Mundet të ketë edhe arsye tjera, ka edhe njerëz që janë të pakënaqur me gjithë situatën politike dhe thjeshtë e shprehin pakënaqësinë e tyre duke prishur fletëvotimin. Pra, ka lloj- lloj arsyesh. Por, ne vetëm pasi të bëjmë një analizë të përgjithshme të tyre, do të dimë se cilat janë arsyet kryesore“, ka thënë Daka