Limaj thotë se shiti banesën për të paguar shpenzimet në gjykatë

Limaj thotë se shiti banesën për të paguar shpenzimet në gjykatë

Lideri i partisë NISMA, Fatmir Limaj ka mbetur pa banesën e tij 110 metra katror. Banesën vlera e së cilës në deklarimin e pasurisë në vititn 2016 ishte 80 mijë euro është shitur.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2017, Limaj ka dhënë një sqarim pse është shitur banesa. Ka thënë se këtë e ka bërë për dy arsye.

“Banesa me sipërfaqe 110m2, e cila ka qenë e përbashkët familjare (e cila ka qenë e deklaruar edhe në deklarimet e mëhershme të mija të pasurisë) është shitur nga ana e familjes. Nga një pjesë e këtyre mjeteve materiale është bërë pagesë për mbrojtjen time ligjore në procese gjyqësore kurse pjesa tjetër do të përdoret për nevoja tjera familjare”, ka shkruar Limaj në fund të dokumentit të deklarimit të pasurisë për vitin 2017.

Limaj e ka shitur edhe një veturë, Audi A6 që në deklarimin e pasurisë në vitin 2016 e ka pasur vlerën prej 30 mijë eurove.

“Vetura Audi A6, e cila ka qenë pronë e përbashkët familjare (e cila ka qenë e deklaruar edhe në deklarimet e mëhershme të mija të pasurisë) është shitur nga ana e familjes”, ka shkruar Limaj.

Ai nuk ka raportuar asnjë cent si para të gatshme dhe ka shkruar vetëm një kredi prej 40 mijë eurove.

Shkarkoni deklarimin e pasurisë së Fatmir Limaj në dy vitet e fundit:

Fatmir_Limaj 2017 Fatmir__Limaj 2016