Aktakuzat e Gjykatës Speciale nuk pritet të sjellin trazira në Kosovë

Aktakuzat e Gjykatës Speciale nuk pritet të sjellin trazira në Kosovë

Avokati Tomë Gashi ka thënë se Gjykata Speciale së shpejti do të vijë me aktakuzat e para. Ai ka thënë kush do që do ta formojë qeverinë e re nuk do të mund të ndalë punën e kësaj gjykate.

“Kushdo që ta marrë pushtetin askush nuk mund ta ndalë punën e Gjykatës Speciale, për shkak se për të funksionalizuar atë kanë qenë të detyrueshme edhe ndryshime të Kushtetutës, përveç nxjerrjes së ligjeve. Por edhe nëse synohet për t’i ndryshuar do të duhej që edhe vetë deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës të votojnë kundër, pastaj duhet numri prej mbi 80 deputetë të Kuvendit duke e përfshirë edhe pakicën serbe, kjo do të ishte mënyra e vetme”, ka sqaruar Gashi.

Zvarritjen e fillimit të punës të gjykatës që do të merret me hetimin e krimeve të pretenduar ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Gashi e arsyeton me faktin se Rregullorja e Procedurave dhe Provave, nëntë nene të saj kishin dalë të kundërligjshme.

Por për Gashin kjo çështje teknike do të përfundojë shumë shpejt dhe aktakuzat e para priten në fillim të vjeshtës.

“Është pritur që Gjykata Speciale të fillojë në qershor punën e saj, është pritur që të dërgohen nga prokuroria aktakuzat e para, mirëpo ka qenë një problem teknik për shkak të Rregullores të Procedurave dhe Provave që herën e kaluar në takimin e të gjithë gjyqtarëve ka dalë që nëntë prej neneve të kundërligjshme me Kushtetutën e Kosovës. Kështu që prapë kanë vendosur për to”, ka shtuar ai në një intervistë për Ekonomia Online.

“Besoj që brenda këtij muaji një panel i veçantë që është në kuadër të Gjykatës Speciale do të vendosë se a janë ato rregulla në harmoni me Kushtetutën, dhe nëse po, atëherë rruga është e hapur që të fillohet me gjykimet e para në këtë gjykatë”, ka thënë Gashi.

Gjykata Speciale, sipas tij, do të merret me krerët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës emrat e të cilëve janë përmendur edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

“Ne kemi pasur kontakte me persona potencialisht të akuzuar në Gjykatën Speciale. Ne saktë, por askush në të vërtetë nuk e din se kush mund të jenë të akuzuar në Gjykatën Special në Hagë, mirëpo duke pasur parasysh se një mori e ish-komandantëve të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjenden të gjykuar dhe të akuzuar nëpër burgjet e Kosovës. Unë besoj se një gjykatë si Gjykata Speciale nuk do ta ulë nivelin e rasteve që do t’i marrë dhe kishte me qenë krejtësisht jo kredibile për vetë atë gjykatë nëse merret me ushtar të thjesht të UÇK-së, por supozohet se ata do të merren me zyrtarë të lartë të UÇK-së të cilët janë përmendur edhe në raportin e senatorit zviceran Dick Martyt”, ka thënë Gashi

Ai ka thënë se fillimi i punës së Gjykatës Special nuk do të sjellë ndonjë trazirë në Kosovë, pasi vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës e votuan ligjin kundër vetes dhe kundër Kosovës.

“Populli i Kosovës ka mbetur duket pritur për dy vite akuzat e para sepse këtë ‘dhuratë’ e kanë sjellë vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës duke vepruar kundër vetvetes, duke nxjerrë ligj kundër vetvetes dhe kundër shtetit të Kosovës”, ka përfunduar ai.