“Tokën e gjyshes së Metës” dyshohet ta ketë shpronësuar grupi i Azem Sylës

Bardhyl Meta pretendon se është nip i familjes Tërrnaku nga Prishtina, familje e cila sipas tij ishte pronare e 20 për qind të tokave në Prishtinë, përfshirë dhe e disa hektarëve tokë që më vonë u sekuestruan nga shteti dhe i kaluan Ndërmarrjes Shoqërore "Ratari". Ndërkaq, një hulumtim i Insajderit vitin e kaluar tregon se këto toka dyshohet t'i ketë shpronësuar, e më pas edhe shitur, Azem Syla.

“Tokën e gjyshes së Metës” dyshohet ta ketë shpronësuar grupi i Azem Sylës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bardhyl Meta, reagoi të shtunën përmes një shkrimi, përmes së cilit argumentoi të kaluarën e tij prej “prishtinasi të vjetër”.

Në reagim ndaj komenteve të bëra nga njerëzit rreth iniciativës së tij për themelimin e shoqatës “Prishtinalitë e Vjetër”, Meta deklaroi se ai është i lindur në Prishtinë, dhe vjen nga një familje me traditë në kryeqytet.

Teksa tha se vjen nga një familje me traditë mbi 500 vjeçare prishtinase, deputeti i LDK-së u shpreh se është nip i familjes nga Prishtina – Tërrnaku, që ai thotë se kanë qenë pronar të 20 për qind të tokave në Prishtinë. Ai tha se disa nga tokat e gjyshes së tij, Nafie Tërrnakut, ishin konfiskuar edhe nga Ndërmarrja Komuniste “Ratari”.

“Gjyshja ime, Nafie Tërrnaku – Sedllari, ka qenë pronare e 1/5 së tokave të Prishtinës, dhe mbetet edhe sot mes tjerash, pronare e ligjshme – pra me Tapi, e 156 Hektarëve të uzurpuara e konfiskuara nga Mbretëria Serbe më 1933, dhe një pjesë tjetër, më 1945-1948 – tash pjesë të Ndërmarrjes Shoqërore “Ratari”, deklaroi Meta, shkruan Insajderi.

E këto toka të konfiskuara nga Mbretëria Serbe, të cilat i kishin kaluar Ndërmarrjes Shoqërore “Ratari”, sipas dokumenteve të siguruara dhe të hulumtuara nga Gazeta Insajderi, dyshohet t’i ketë shitur ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, bashkë me grupin e tij.

Në një hulumtim që Insajderi kishte bërë vitin e kaluar, u raportua se grupi i dyshuar i Azem Sylës kishte arritur që ndikimin e vet me anë të ryshfetit, kërcënimeve e frikësimit, ta shtrijë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Gjykatën Komunale të Prishtinës, në Prokurori dhe në Polici.

Të gjitha hallkat dyshohet se ishin vënë në funksion të tyre në mënyrë procesi i zhvatjes së pronave të shtetit të mos haste në asnjë pengesë. Me anë të vendimeve të paligjshme dhe me dokumente të falsifikuara, grupi ka shpronësuar prona të shtetit në vlerë prej 30 milion eurosh.

E në mesin e tokave që dyshohet se ishin shpronësuar nga Azem Syla dhe grupi i dyshuar i tij, ishin edhe disa hektarë tokë të Ndërmarrjes Shoqërore “Ratari”. /Insajderi.com

Për më shumë, lexoni hulumtimin mbi mënyrën se si Azem Syla dyshohet se shpronësoi pronat e shtetit – duke klikuar në këtë LINK