Kandidati për deputet nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Bekim Haxhiu, ka komentuar mundësinë që të hynë në koalicione me njërën nga partitë opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe ish-partnerin e koalicionit LDK që në zgjedhjet e 11 qershorit garoi në koalicion me AKR-në dhe partinë e re Alternativa.
Për koalicionin LAA tha se mund të hyjnë në koalicion pasi “përputhet programi i dy koalicioneve” ndërsa për Lëvizjen Vetëvendosje pati fjalë të ashpra. E quajti parti që e do Kosovën diktatoriale.
“PAN nuk bën koalicion me Vetëvendosjen, nuk përputhen programet tona, ata janë subjekt i majtë dhe ne nuk e kemi komoditetin që të kthehemi në një sistem diktatorial”, tha Haxhiu në Klan Kosova.
“Me LDK-në kemi qenë në qeverisje, programet tona përputhen. Por, nuk mund të flas për LDK-në pasi nuk më takon, por ata e kanë dëshmuar që kur janë në pyetje çështje për vendin ata kanë bashkëpunuar me PDK-në”, shtoi ai./Insajderi.com