Fiks shtatë zyrtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore kanë shkuar në një udhëtim jashtë vendit ku kanë qëndruar fiks katër ditë.
Të gjithë së bashku kanë shpenzuar afro 7 mijë euro dhe rezultati i atij takimi ishte vetëm një takim, raporton Insajderi.
Kështu së paku ka gjetur Zyra e Auditimit në raportin e auditimit për raportin financiar për Këshillin e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore, institucion i krijuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Përveç kësaj, ka raste kur shpenzimet nuk ishin të arsyetuara. Në një udhëtim katër (4) ditorë jashtë vendit të shtatë (7) zyrtarëve me kosto 6,425€, në bazë të raportit në këtë vizitë është mbajtur vetëm një takim me një zyrtar”,thuhet në raportin e auditorëve.
Madje sipas auditorëve ky Këshill edhe pse ka realizuar 99.77 për qind të buxhetit për mallra dhe shërbime, janë vërejtur se ka dallime në mes të planit dhe shpenzimeve në disa kode ekonomike.
“Për udhëtime zyrtare brenda vendit ishin planifikuar 1,000€ ndërsa ishin shpenzuar 4,620€, derisa për udhëtime jashtë vendit ishin planifikuar 13,000€, ndërsa ishin shpenzuar 32,230€. Këto shpenzime përbëjnë mbi 42% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime apo mbi 20% të shpenzimeve totale”, shkruajnë auditorët.
Mbishpenzimi në përqindje të madhe e një nënkategorie të caktuar sipas auditorëve vë në pah planifikimin e dobët të aktiviteteve dhe shpenzimeve. Kjo sipas tyre rrit rrezikun që aktivitete tjera të planifikuara të mos realizohen dhe si pasojë ndikon negativisht në realizimin e objektivave të përcaktuara.
Ata kanë dhënë edhe një rekomandim, raporton Insajderi.
“Kryetari i KKTK-së të sigurohet që kërkesat buxhetore të jenë sa më reale dhe se shpenzimi i buxhetit të jetë në harmoni të plotë me planin e miratuar të shpenzimeve. Çdo ndryshim i planit duhet të jetë në pajtim me rregullat financiare. Zyrtari Kryesor Administrativ duhet të sigurojë që buxheti të menaxhohet/shpenzohet në mënyrë ekonomike dhe efikase”, thuhet në raport.
Auditorët kanë gjetur gjithashtu se në KKTK pozita e Udhëheqësit Ekzekutiv (UE) mbahet në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës (UD) për një periudhë tashmë gjashtë (6) mujore duke e tejkaluar afatin e lejuar ligjor për mbajtjen e pozitës në këtë formë.
“Ligji për Shërbimin civil të Republikës së Kosovës (Nr. 03/L-149), përkatësisht Neni 30.4, kushtëzon se për plotësimin e pozitës së lirë në shërbimin civil, UD nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj. Për më tepër emërimi nuk është bërë në pajtim me këtë ligj (neni 30.2) i cili thekson se zëvendësimi i një pozite të tillë duhet të bëhet nga nëpunësi civil i rangut më të lartë. Në këtë rast ky kriter nuk është respektuar nga KKTK”, thuhet në raport. /Insajderi.com