I vetëquajturi aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Astrit Haraqija, ka bërë një deklaratë qesharake në një intervistë për Klan Kosovën, ku ka folur për zgjedhjet e 11 qershorit, duke e vënë vetën në pozitën e kandidatit serioz për kryeministër të vendit.
Edhe pse nuk ka ndonjë pozitë udhëheqëse në LDK, Haraqija, ka thënë se ai do të ishte kandidat për kryeministër të vendit. Ka thënë se i plotëson të gjitha kriteret profesionale, por vetëm se nuk i ka votat, raporton Insajderi.
“Unë do të duhej të isha kryeministër i vendit, por si kam votat”, ka thënë Haraqija në “Info Magazaine”.
Kur drejtuesi i emisionit e ka pyetur nëse ai e ka seriozisht dhe mendon se është kandidat serioz për kryeministër, Haraqija ka nisur të tregojë përvojën e tij politike.
“Kam qenë udhëheqës më shumë se 8 vite në nivel lokal edhe 4 vite në nivel qendror andaj kam të gjitha kriteret që të bëhem. Pse të mos bëhem, por si kam votat”, ka thënë Haraqija.
Ai më pas ka thënë se bashkëpartiaku i tij, kandidati për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti nuk mund të jetë kryeministër pasi ka dalë i treti./Insajderi.com