Njeriu me vulën e pavarësisë

Njeriu me vulën e pavarësisë

Në 80-vjetorin e lindjes së Martti Ahtisaarit, i dërguari i OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, propozuesi i pavarësisë dhe laureat i Çmimit Nobel për Paqe.

Në shkurt të vitit 2007 gati të gjithë shqiptarët merreshin me parashikime. Kafehanet e Prishtinës gumëzhinin nga meteorologët politikë. A do ta përmend Martti Ahtisaari në planin e tij atë fjalën që fillon me “P” apo jo? Në planin e diplomatit finlandez nuk përmendej pavarësia e Kosovës shprehimisht, por mes rreshtave kudo përshkruhet një shtet i pavarur që do të shpallej së shpejti.

Përmendej një forcë mbrojtëse (fjalë tjetër për ushtri), përmendeshim kufijtë e Kosovës, e drejta e Kosovës për të qenë anëtare në organizatat ndërkombëtare, po ashtu thuhej se prona e luajtshme dhe e paluajtshme e Jugosllavisë dhe e Republikës së Serbisë, e cila gjendet në territorin e Kosovës, i takon Kosovës.

Synimi i Ahtisaarit ishte që planin ta kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Një gjë të tillë e pamundësoi Rusia me kërcënimin me veto. Por, trenin e pavarësisë që e kishte nisur lokomotivisti nga Finlanda nuk mund ta ndalte askush më. Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë me miratimin e fuqive më të mëdha perëndimore, shtetësia u pranua nga po këto shtete, por edhe nga Turqia, e cila në vazhdim do t’i siguronte Kosovës disa njohje në ato vende ku ka ndikim (në botën arabe dhe në Azi). Kosova është pranuar në disa organizata ndërkombëtare dhe asociacione sporti, Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e parë olimpike.

Natyrisht meritat për këtë medalje i ka Majlinda Kelmendi, por trajneri i saj në hije është Martti Ahtisaari.

Që nga prezantimi i planit të Ahtisaarit dhe shpalljes së pavarësisë shumë gjëra të mira kanë ndodhur në Kosovë, por këtu nuk hyn procesi i pandërprerë i negociatave me Serbinë, të cilat deri më sot kanë deformuar dukshëm planin e Ahtisaarit dhe me këtë strategji Kosova rrezikon të bëhet shtet jofunksional, me një Republikë të Serbëve brenda territorit të saj, ndonëse kjo s’thuhet shprehimisht nga burokratët e Brukselit, por qëmoti ata flasin për një plan të ri, për “ “Ahtisaari Plus”.

Diçka të tillë nuk ka synuar Martti Ahtisaari, sepse ai e njihte mirë historinë e konfliktit të Kosovës, i njihte protagonistët dhe e kishte të qartë përmasën e vuajtjes së shqiptarëve nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, të cilit në pranverën e vitit 1999 në emër të NATO-s ia kishte prezantuar në Beograd një ultimatum të qartë: ose dorëzohu, ose NATO mund të ndërhyjë me trupa tokësore.

Gjithçka tjetër është histori, që u shkrua dhe nënshkrua në një tendë fushore në Kumanovë. Martti Ahtisaari ka merita të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai sot mbush 80 vjet.

U lind më 23 qershor 1937 në Vipuri (atëbotë pjesë e Finlandës, sot ky qytet gjendet në Obllastin e Leningradit në Rusi). Që në vitet ’70 diplomati finlandez punoi për OKB-në në Afrikë, mes tjerash si komisar për Namibi. Një shkollë në Ëindhuk, kryeqyteti i Namibisë, bart emrin e tij. Në vitet ’90 Ahtisaari do të kthehej shpesh në Ballkan i ngarkuar me detyra të ndryshme nga OKB. Mes viteve 1991-1993 ishte shef i Grupit

Punues të OKB-së për Bosnjë-Hercegovinën. Më 1999, siç u tha, negocioi tërheqjen e forcave serbe të sigurisë nga Kosova. Ahtisaari konsiderohet si njëri prej diplomatëve më me përvojë në mbarë botën. Por, ai nuk i shërbeu vetëm OKB-së: mes viteve 1994-2000 ishte president i Finlandës.

Tetë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës Martti Ahtisaari u nderua me Çmimin Nobel për Paqe – një mirënjohje që nuk e morën as burrështetas me nam si Helmut Kohli.

Ndaj lajmit se Komiteti i Oslos i kishte dhënë Nobelin për Paqe Ahtisaari atëbotë reagoi me ftohësi diplomatike: “Natyrisht që jam shumë i kënaqur me vendimin e Komitetit të Nobelit. Dhe i gëzuar. Prej të gjitha angazhimeve të mia më i rëndësishmi ishte angazhimi për pavarësinë e Namibisë. Atje kam qenë 13 vjet i angazhuar. Açehu (Indonezi) dhe Kosova po ashtu kanë qenë shumë të rëndësishme”.