Myslimanët në Shqipëri Bajramin do ta falin në shesh

Myslimanët në Shqipëri Bajramin do ta falin në shesh

Besimtarët myslimanë do të falin namazin e të dielës në sheshin e ri “Skënderbej”. Në dispozicion të tyre janë vënë 16 mijë m2, përkatësisht 3 mijë për femrat dhe 13 mijë për meshkujt.

“Për herë të parë do të jemi në një shesh dhe investim të mrekullueshëm publik, pra jo për ta falur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por në një shesh që është për të gjithë qytetarët dhe besimtarët njëherazi dhe për të qenë të gjithë së bashku nesër në orët e para të mëngjesit, në orën 6, për të falur Bajramin e Madh për besimtarët e kryeqytetit dhe Shqipërisë”, ka thënë myftiu i Tiranës, Ylli Gura.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj shprehu mirënjohjen për besimtarët myslimane kur tha se muaji i agjërimit ka qenë një muaj solidariteti për shumë njerëz në nevoje dhe shprehu dëshirën që kjo frymë të vazhdojë përgjatë gjithë vitit pasi është ajo çka i nevojitet kryeqytetit. Ne largohemi nga ajo situatë ku besimtarët faleshin në rrugë, tha Veliaj , dhe tani bashkia ka marrë të gjitha masat e nevojshme që çdo gjë të shkojë si duhet.

“Ne kemi marrë të gjitha masat për të gjitha nevojat logjistike, duke filluar që nga fonia, pastrimi, shatërvanët. Do të ofrojmë parkingjet e baskisë falas për besimtarët nga ora 5-7 e mëngjesit e nëse parkingu tek sheshi është i zënë do hapet parkingu i Bulevardit të Ri. Pra, do ketë vende. Por i bëj thirrje të gjithë besimtarëve që vijnë nga zona e qendrës të mos përdorin makinat, në mënyrë që të lihet vend atyre që vijnë nga periferitë apo rrethet”, tha Veliaj.

Hera e fundit që myslimanët janë falur në shesh ka qenë viti 2009.