ATK humb rreth 50 mijë euro për shkak të qirasë

ATK humb rreth 50 mijë euro për shkak të qirasë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ishte paditur nga një “subjekt juridik” në vitin 2012 në emër të mosmarrëveshjeve me qiranë e objektit të ATK-së dhe si pasojë ka humbur rreth 50 mijë euro.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për këtë institucion është bërë e ditur se Gjykata Komunale e Prishtinës kishte marrë vendim ku e obligonte ATK-në të kryente obligimin në vlerë prej 47 mijë e 821 euro ndaj këtij “subjekti juridik”.

Por, pavarësisht këtij vendimi, ATK nuk e kishte respektuar atë duke bërë që çështja të kalonte në Gjykatën e Apelit të Kosovës, shkruan Insajderi.

Sipas Auditorit Gjeneral, Gjykata e Apelit më 13 maj të vitit të kaluar kishte marrë vendim që ATK t’i paguante brenda 15 ditëve obligimet.

“Gjykata Komunale në Prishtinë, kishte marrë vendim ku e obligon ATK-në të kryej obligimin në vlerën prej 47,821€. ATK nuk kishte respektuar këtë vendim duke mos kryer obligimin ndaj palës ankuese dhe se kjo çështje kishte kaluar në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Me pas, me datë 13.05.2016, është marrë vendim nga Gjykata e Apelit të Kosovës, ku detyron ATK-në që në afat brenda 15 ditësh të kryej këtë obligim”, thuhet në raportin e Auditmit.

E në mungesë të buxhetit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kishte paguar këtë detyrim me pesë muaj vonesë.

“Në mungesë të mjeteve buxhetore ATK kishte kryer këtë pagesë me datë 15.11.2016, me vonese afro pesë muaj e gjysmë”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit Gjeneral, mos përmbushja e detyrimeve ligjore në kohë, rritë detyrimet e entitetit dhe dëmton performancën e saj në respektimin e ligjit. /Insajderi.com