Mustafa Qemal Ataturku, babai i Turqisë moderne

Mustafa Qemal Ataturku, babai i Turqisë moderne

Një nga figurat më të lavdishme të shekullit të kaluar pa dyshim është dhe Mustafa Qemal Ataturku. Ai tamam si feniksi ringjalli hirin e Perandorisë Osmane dhe krijoi Turqinë moderne.

Mustafa Qemal hodhi themelet e një Turqie laike dhe moderne duke u konsideruar një nga udhëheqësit më të lavdishëm që ka pasur historia.

Do të lindë më 12 mars 1881. Pasi ndoqi shkollën ushtarake, vetëm në moshën 12 vjeçare do të marrë pjesë si ushtar në luftrat kundër italianëve në Libi, nga viti 1911 në vitin 1912, dhe më vonë do të ndihmojë forcat udhëheqëse në bllokimin e aleatëve për kapjen e Stambollit në fushatën e famshme të Galipolit, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Hyrja e tij në politikë do të datojë në vitin 1919, ku ai organizoi një revolucion nacionalist për të përzënë pushtetin e zënë nga aleatët jashtë Turqisë. Duke korrur fitore kundër grekëve dhe armenëve ai siguroi Traktatin e Lozanës, e cila në korrik të vitit 1923 do ta njihte Turqinë si komb i pavarur. Kuvendi kombëtar themeloi Turqinë si një republikë me Ataturkun president.

Më 22 tetor të vitit 1923, Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë shpall Republikën, ndërsa Mustafa Qemal shpallet kryetar i parë i tij. Kuvendi ia dha edhe titullin Gazi (që do të thotë fitues). Në muajin gusht 1923, Ataturku themelon Partinë Popullore që më pas e quan Popullore Republikane. Ai ishte edhe mbeti deri në fund udhëheqësi ideor i saj. Sistemi njëpartiak, i vendosur nga Ataturk vazhdoi deri në vitin 1945.

Merita e Mustafa Qemalit është se ai ndërmori reforma radikale politike, sociale, ekonomike e kulturore, që e nxorën Turqinë nga errësira shekullore mesjetare, në dritën e rendit demokratiko-borgjez. Shembi pushtetin e vjetër të kalifëve, kadinjve e myftinjve dhe ndau shtetin nga feja. Hoqi sheriatin ku feja fuste hundët në punët e shtetit dhe çliroi nga obskurantizmi otoman gjykatat, administratën shtetërore dhe gjithë jetën e vendit.

Reformat ai i realizoi në një kohë fare të shkurtër dhe në shumë prej tyre dha shembullin e vet personal. Psh, në arsim, ai zëvendësoi alfabetin arab me atë latin brenda javës, duke botuar gazetat më të mëdha të vendit me këtë alfabet, kur të gjithë i thoshin se duheshin vite kohë. Për të hequr çallmën, ai i pari vuri kapelen evropiane në kokë. Shkrimtari francez, Shandan, në veprën e tij me titull “Mrekullia turke” ka shkruar se të gjitha reformat në Turqi ishin prodhim i mendjes së Mustafa Qemal Ataturkut.

Është kjo arsyeja që shkrimtarë dhe mendimtarë i janë drejtuar kujtesës historike për ta përshkruar me nota realiste dhe me simpati të pakursyer këtë burrë shteti. Sekreti i suksesit të këtij njeriu ishte se ai vetë merrte përgjegjësi mbi supe, nuk përdorte forcë për të vënë në jetë reformat që propozonte. Ai gëzonte mbështetjen dhe simpatinë e popullit, se atë që të tjerëve u ishte dashur ta bënin për 100 vjet, ai e bënte me fjalë për disa minuta.

Njihte mjaft mirë faktorin psikologjik dhe e përdorte atë me mjeshtëri për të fituar zemrat e njerëzve. Fshatari turk ndjente respekt ndaj Ataturkut sepse nga njëra anë e shikonte atë si At të vërtetë, si një prijës që do t’i fitonte vendit paqen dhe respektin e merituar, dhe nga ana tjetër si burrë shteti që në Turqi kishte rindërtuar me vullnet drejtësinë dhe rregullit.

Në periudhën e reformave të Republikës së Re, personaliteti i Mustafa Qemalit dhe mendimet e tij ishin ngulitur aq shumë sa, asnjë çështje ekonomike, shoqërore, politike, filozofike apo fetare nuk trajtohej dhe nuk vihej në jetë pa u mbështetur në figurën e këtij revolucionari të madh turk. Mustafa Qemal Pashai, i njohur ndryshe si Prijësi, ishte shndërruar në një farë mënyre në ndërgjegjen e vetë kombit, në pasurinë e tij më të çmuar, në vetë mrekullinë që u kishte dërguar Zoti.

Ataturku udhëhoqi Turqinë për 15 vite po vendi i tij në Turqi është i padiskutueshëm. Kjo sepse ai doli jashtë kornizave të zakonshme të një burri shteti, duke u kthyer në një mit për kombin dhe një figurë që me të vërtetë pati impakt në politikën ndërkombëtare të shekullit të kaluar.

Aq e madhe ishte fama e këtij njeriu sa në Turqi të shash Ataturkun konsiderohet si sakrilegj dhe dënohesh me ligj. Shteti turk e ka kthyer këtë gjë në vepër penale.

Edhe sot figura e këtij njeriu nderohet dhe respektohet në Turqi sa në 10 nëntor ora e Turqisë ndalon në nderim të Ataturkut që vdiq në vitin 1938.

Lidershipi i tij ka lënë gjurmë në Turqi dhe të gjithë biografët e këtij njeriu të madh vënë në dukje zgjuarsinë në superlativë, vlerat e mëdha që kishte si njeri dhë ëndrrën e tij të madhe për të jetuar në liri. Ataturku i kapërceu kufijtë e shtetit të vet, duke u kthyer në legjendë.

Dhe ishte jo vetëm vizionar por dhe një nga udhëheqësit më të pashëm të historisë njerëzore. /Konica.al