Punësojnë njerëz pa pasur buxhet

Punësojnë njerëz pa pasur buxhet

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Komunën e Kllokotit është punësuar më shumë personel në shërbimin shëndetësor primar sesa që ka pasur buxhet.

“Gjatë auditimit të punësuarve në shërbimin e shëndetësisë primare kemi gjetur se ishte tejkaluar numri i të punësuarve të lejuar me buxhet”, thuhet në të gjeturat e raportit të Auditorit.

“Numri i stafit të buxhetuar ishte 12 derisa në listën e pagave ishin 15. Ndërsa në katër (4) raste kishte mos harmonizim mes kodeve të nën programit të të punësuarve me rastin e ekzekutimit të pagave”, thuhet më tej aty.

Auditorit thotë se tejkalimi i numrit të të punësuarve të lejuar me buxhet, rrit rrezikun që të mos ketë mjete të mjaftueshme për t’i ekzekutuar pagat.

Ndërsa mos harmonizimi i drejtë i kodeve të nën programeve, sipas Auditorit, mund të rezultojë me informata të pasakta, rrjedhimisht me tejkalim të numrit të lejuar të të punësuarve në programet përkatëse.

Prandaj, Auditori i rekomandon kryetarit të komunës që të sigurojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për respektimin e numrit të punësuarve sipas planifikimit të buxhetit për kodin e nën programit përkatës gjatë procesit të ekzekutimit të pagave./Insajderi.com