Asnjë grua me shami në Kuvend – sa vota morën dy kandidatet

Asnjë grua me shami në Kuvend – sa vota morën dy kandidatet

Politikani kontrovers islamik Gëzim Kelmendi nuk arriti të futej në Kuvend pasi partia e tij “Fjala” nuk arriti ta kaloj pragun zgjedhor, por në Kuvend nuk arritën që të futen as dy kandidatet e tjera me shami.

Ato të dyja kanë garuar në një listë por asnjëra prej tyre nuk ka marrë votat e mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Kuvend të Kosovës.

Ish-deputetja Labinotë Demi – Murtezi e cila në legjislaturën e re kishte folur jo edhe aq shpesh në Kuvendin e Kosovës ka marrë jo më shumë se 5 mijë e 352 vota, raporton Insajderi.

Në zgjedhjet e vitit 2014, Demi-Murtezi kishte marrë 14 mijë e 232 vota.

E në zgjedhjet e këtij viti edhe një tjetër grua me shami i kishte hyrë garës. Bëhet fjalë për vajzën e myftiut Naim Tërnava, kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Refiqe Tërnava-Beka ka marrë përafërsisht njëjtë vota sa Demi-Murtezi.

Tërnava-Beka ka marrë fiks 5 mijë e 487 vota, raporton Insajderi. Të dyja kanë garuar në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa./Insajderi.com