Xhabir Hamiti, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkësia Islame e Kosovës, kohët e fundit, ka ndërmarrë disa hapa për vetëdijesimin e imamëve, në mënyrë që të mos bien në grackat e individëve dhe grupeve, që kanë qëllime ideologjike dhe politike në emër të fesë.
“Ka pasur dhe ka interpretime dhe qasje të ndryshme ndaj fesë. Këtë duhet pasur parasysh dhe të mbahen seminare intensive me imamët, në mënyrë që t’iu bëhet me dije se në çfarë vendi jetojnë, në çfarë rrethanash jetojnë, në çfarë pozicioni gjeografik dhe gjeopolitik jetojnë”.
“Shumë prej tyre nuk janë të vetëdijshëm as për rrymat politike fetare, të cilat janë aktive në botën arabe. Pra, kjo është imediate dhe duhet të veprohet me hapa sa më shpejt të mundshëm. Një hap të tillë, nuk e kam vërejtur të jetë intensiv brenda udhëheqjes ose liderëve të tanishëm të Bashkësisë Islame të Kosovës”, shprehet Hamiti.