Sipas AAK-së formimi i Qeverisë është punë e kryer  – Haradinaj po merret me diçka më madhore

Sipas AAK-së formimi i Qeverisë është punë e kryer  – Haradinaj po merret me diçka më madhore

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re, por sipas tij, kandidati i këtij koalicioni për kryeministër, Ramush Haradinaj është i interesuar për koalicion të gjerë.

Lekaj ka thënë për lajmi.net se koalicioni fitues i zgjedhjeve është duke pritur shqyrtimin ankesave dhe më pas do të fillojë procedurat për formimin e institucioneve të reja.

“Sa i përket koalicioneve, kryetari Haradinaj është i interesuar që të ketë një përfshirje më të gjerë për të pasur një qeveri stabile dhe që mos humbim kohë. Ne e kemi potencuar dhe sërish po e themi që e kemi numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e Qeverisë së re, por tani presim të përfundohen shqyrtimi i ankesave”, është shprehur Lekaj.

Megjithatë, anëtari i kryesisë së AAK-së nuk ka përmendur afate kohore për konstituimin e institucioneve të reja.

“Menjëherë pas procedurave të shqyrtimit të ankesave, ne nuk do të kemi vonesa, do të thirret seanca , do të zgjidhjet kryeparlamentari dhe pastaj edhe qeveria e re. Me data nuk mund të flasim ende”, ka shtuar Lekaj.

Përndryshe, për konstituimin e institucioneve të reja nevojiten së paku 61 vota, kurse në zgjedhjet e 11 qershorit koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) ka fituar 39 ulëse në Kuvend, ndërsa komunitetet joshumicë kanë 20 deputetë. Kështu, PAN së bashku me pakicat do të kenë 59 deputetë, që nënkupton se për formimin e institucioneve të reja iu duhen të paktën edhe dy deputetë.