Lushtaku urohet nga partia që ai thoshte se “kanë lobuar kundër tij”

Lushtaku urohet nga partia që ai thoshte se “kanë lobuar kundër tij”

Partia Demokratike e Kosovës lëshoi në komunikatë për media duke e vlerësuar “të vonuar, por të drejtë” vendimin e institucioneve të drejtësisë për lirimin e ish-komandantit të UÇK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, por vet Lushtaku në një letër të fiks para dy vitesh ai kishte akuzuar bashkëpartiakët si një prej “fajtorëve që ai është në burg”.

“Partia Demokratike e Kosovës i uron z. Lushtakut kthim të mbarë në detyrën e vetë të kryetarit të Skenderajt, përgjegjësive në PDK dhe jetë të qetë me familje”, ka shkruar të martën PDK-ja në komunikatën e saj.

Me 5 qershor të vitit 2015 Lushtaku në një letër të tij publike shkruante se “nuk janë vetëm kundërshtarët politik që kanë krijuar kundër nesh, të njohur si ‘krahu i luftës’, opinione të ashpëra negative”.

“Një kontribut të madh, kundër nesh, e kanë dhënë edhe bashkëpartiakët, si ministrat dhe zëvendësministrat. Lobimi i tyre intensiv në Ambasada dhe në EULEX, kundër nesh, për një kohë të gjatë, i ka dhënë frytet e duhura, ose të pritura, të tyre”, shkruante Lushtaku.

Në këtë mënyrë vazhdonte letra e Lusghtakut, “reputacioni ynë publik është rrënuar ditë pas dite, javë pas jave e vit pas viti”.

“ Ne nuk kemi qenë aq të sofistikuar sa të kuptojmë ketë lojë të ndytë. Dhe ja ku jemi sot. Pa përkrahje mediale. Pa përkrahje publike. Dhe pa përkrahje të duhur politike. Qoftë edhe kur dënohemi në mënyrë absurde, për vrasje të personave të panjohur. Kjo ka ndodhur sepse ndaj nesh ‘procesi gjyqësor’ ka zgjatur plot 10 vjet”, shkruante Lushtaku.

Pas lirimit, Lushtaku ka vazhduar në Prekaz, ku ka bërë homazhe tek varri i Adem Jasharit.