“Qeveria e Shqipërisë të heqë çmimin referent për pataten e Kosovës”, ka thënë ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami, duke i lënë vetëm një opsion qeverisë shqiptare. Në të kundërtën, ajo ka thënë se Kosova do të vendos masa reciprociteti me Shqipërinë.

Vendimi i marrë javën e kaluar nga Dogana e Shqipërisë për rritjen e referencës doganore për patatet nga Kosova nga o.14 cent në 0.18 cent, ka zgjuar reagim të ashpër në Kosovë.
Dy ministrat në largim të Qeverisë së Kosovës, ai i Financave Avdullah Hoti dhe ajo e Tregtisë Hykmete Bajrami, kanë paralajmëruar për reciprocitet me Shqipërinë në qoftë se nuk heqet kjo referencë doganore për patatet e prodhuara në Kosovë.
Ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë sot se “vendosja nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të çmimit referent prej 0.19 euro për patatet nga Kosova që eksportohen në Shqipëri po i dëmton rëndë prodhuesit kosovarë”.
“Kjo politikë e qeverisë shqiptare nuk i ndihmon unifikimit të tregut mbarëshqiptar”, ka shtuar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.
Ministri Hoti ka “kërcënuar” se nëse nuk ka lëvizje do të shqyrtohen masat e tjera ligjore dhe reciproke për të ruajtur prodhuesit tanë.
Ndërkaq, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka kërkuar zyrtarisht nga Qeveria e Shqipërisë të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara me Kosovës dhe të heqë çmimin referent për pataten kosovare.
Në një reagim publik përmes rrjetit social Facebook, Bajrami ka thënë se do të jenë të obliguar të veprojnë njësoj ndaj produkteve të Shqipërisë nëse Tirana nuk e heq çmimin referent të vendosur për pataten e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë marrëveshje të nënshkruara dhe duhet të zbatohen pasi në të kundërtën humbet arsye e këtyre dokumenteve që kanë firmat e Kryeministrave të dy vendeve”, ka shkruar Bajrami.
“Qeveria e Shqipërisë të heqë çmimin referent për pataten e Kosovës”, ka thënë Bajrami, duke i lënë vetëm një opsion qeverisë shqiptare.
Ministrja kosovare ka thënë se nëse Qeveria e Shqipërisë nuk reagon në uljen e çmimit referant për pataten që prodhohet në Kosovë, atëherë Kosova do të aplikojë masa reciprociteti me prodhimet që vijnë nga Shqipëria. /Insajderi.com