Planet e Shyhrete Berishës për gjysmën e shtëpisë

Planet e Shyhrete Berishës për gjysmën e shtëpisë

Avokati i Shyhrete Berishës ka deklaruar se klientja e tij ka dy dëshira për pjesën e shtëpisë dhe pronës së saj së cilës tash i takon.

Naim Qelaj, avokati i Shyhrete Berishës, ka thënë se dëshira e klientes së tij është që ta kthejë shtëpinë në një muze. Nëdrsa, dëshira e dytë e Berishës është që shtëpia të kthehet në kopsht për fëmijë.

 “E para është që shtëpinë ta kthejë në muze për të treguar historinë se çka ndodhi aty. Dhe, e dyta është që aty të hapet një kopsht për fëmijë të cilët kanë nevojë për përkujdesje”, ka thënë Qelaj, në emisionin “Përballje” të RTV Dukagjinit.
“Dëshira e saj është që kjo të kthehet në shtëpi për publikun. Kjo është edhe një dëshmi për të se drejtësia ka triumfuar”, ka thënë ai.
Shyhrete Berisha, e cila i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, ku iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, pas luftës kishte nisur një betejë gjyqësore për të marrë gjysmën e shtëpisë që ajo pretendonte se i takonte.

Më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës, por Xhelali edhe pas 4 viteve ballafiqimi në gjyq, vazhdon me avazin e braktisjes së seancave gjyqësore.

Disa ditë më parë , gjykata vendosi që gjysma e shtëpisë i takon asaj. /Insajderi.com