Kadaj-Bujupi: Nuk do të përkrahim askënd nga PAN-i për kryetar të Kuvendit

Kadaj-Bujupi: Nuk do të përkrahim askënd nga PAN-i për kryetar të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje do të kundërshtojë çdo kandidatë për kryetar të kuvendit që do të propozohet nga koalicioni PAN

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se nuk do të përkrahin asnjë kandidat nga ky koalicion, për shkak se siç ka thënë ajo është në kundërshtim me parimet dhe vullnetin e qytetarëve.

“Sigurisht që nuk do përkrahim këdo pasi kjo është në kundërshtim me parimet tona por edhe vullnetin qytetarë. Këto zgjedhje janë ballafaqim me të vërtetën për shumë kënd dhe sigurisht përgjegjësi shtesë për ne qe jemi fitues”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Kadaj- Bujupi po ashtu u shpreh se  zaptuesit e shtetit do dërgohen  në opozitë e disa edhe në burg.

“Andaj angazhimi jonë do të jetë fuqishëm në reflektim të këtij realiteti të ri ku sovrani ka ndëshkuar ata që i kanë sjellë dëme vendit dhe na ka besuar ne për shkak të konsistencës dhe parimeve tona, do të punojmë shumë që vullnetin e qytetarëve ta pasqyrojmë në qeverisje, kurse zaptuesit e shtetit të i dërgojmë në opozitë e disa edhe me burg”, ka thënë ndër të tjera Donika Kadaj-Bujupi.

Presidenti Thaçi ka afat deri më 8 gusht të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të dalë nga vota e 11 qershorit.