Kur lista e deputetëve të ri të Kuvendit të Kosovës u bë publike, dhe rezultati u certifikua, në opinion u krijua një ide se ka ndodhur një reformim në përbërjen e Kuvendit, duke aluduar në disa emra të rinj dhe në disa politikanë emra të vjetër por të rinj për nga mendësia, të cilët kanë marrë vota për tu bërë deputet.
Por kur lufta për të bërë numrat e Qeverisë nisi, pasi askujt nga partitë e as koalicionet, kosovarët nuk ia dhanë mundësinë ta krijojnë Qeverinë vet, doli në pah ajo që na e kanë shitur si diçka që nuk ekziston, tek gjenerata e politikanëve të ri.
I gjithë propagandimi i kësaj gjenerate se përfaqësojnë një frymë të re në politikën kosovare ka rënë në ujë. Për të disaten herë.
E kjo gjeneratë e politikanëve për fatin tonë të keq ka një ndikim në politikbërjen kosovare. Ose më mirë të themi, ne vet ua kemi dhënë këtë drejtë duke i votuar ata direkt ose duke i votuar shefat e tyre që i kanë marrë afër vetës si “politikanë të moderuar”.
Të shkojmë me rend, sepse secili meriton nja dy-tri fjalë.
E para, jo për befasi, është deputetja Ganimete Musliu.
Ndoshta kjo është e vetmja prej politikaneve e cila do të funksiononte jashtëzakonisht mirë nëse do të ishte gjeneratë e Isa Mustafës. Por jo, fatkeqësisht ajo është gjeneratë e re, e asaj gjenerate që prej kafiqave e deri tek institucionet kërkojnë me ngulm që tu jepet atyre drejtimi i shtetit.
Pse? Kinse përfaqësojnë një gjeneratë (mbi 30 vjeç)e cila kur ka qenë e re është ballafaquar me sfidat e mungesës së lirisë, jetesa në një sundim të egër sikurse ajo e Serbisë.
Për vite të tëra gjenerata tipike që përfaqëson Musliu na kanë gërryer kryet e na kanë bërë t’i durojmë të gjithë budallallëqet e tyre se kinse kanë qenë protestues në organizimet e studentëve, më pas kinse kanë luftuar për lirinë e këtij vendi.
Pra kemi 18 vite që durojmë një gjeneratë e cila na kërkon votën duke u viktimizuar dhe në të njëjtën kohë duke u propaganduar si hero. Por kur kjo më nuk iu piu ujë, kjo gjeneratë filloi të paraqiste një imazh tjetër.
Një imazh i politikanëve të ri që e mbrojnë “politikën e komandantëve” dhe kanë respekt për “politikën e para viteve ‘90” por që ka ardhur koha për një mendësi të re politike që është larg këtyre dy “politikave të tjera”.
Por natyrisht, nuk mund të jesh një politikan i moderuar kur i mbron disa vlera e ki respekt për të tjera vlera që janë të prapambetura. Ama këtë defekt janë munduar gjithmonë ta fshehin.
Derisa vjen puna për pushtet. Kur vjen puna për pushtet, politika e moderuar që do të duhej të bazohej në një diskurs aktual që përkon me atë se çfarë shoqëria e cila është mbi 50 për qind përfundi të 30-ve dëshiron, del në pah fytyra e tyre prej “politikani si mbetje e politikës së vjetër”.
Kësisoj edhe akuzat e Ganimete Musliut për “baballarët dhe nënat UDBA-she” e kundërshtarëve politik, dalin në skenë si argumente në skenën politike
Por Ganimete Musliu, nuk është vetëm në gjithë këtë skenë banale dhe të prapambetur politike në Kosovë.
Me të njëjtën gjuhë, reagoj edhe deputeti tjetër, ai Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, njëri nga të apostrofuarit në qëndrimet e Musliut.
Çka përfaqëson gjenerata e re e Ismailit?
Të njëjtën gjë sikurse gjenerata e Musliut, dhe kjo nëse bazohemi në vitet që kanë lindur, dalë të jetë fare e natyrshme.
Por ku dallon kjo gjenerata e politikanëve që përfaqësohet nga Ismaili?
Edhe kjo gjeneratë ka protestuar. Ka luftuar. Është viktimizuar. Janë heronj. Fare e zakonshme.
Megjithatë kjo gjeneratë është munduar që për këto dy dekada të na paraqitet më shumë si urbane, kreative dhe më e ecur para.
Pra Ismaili është një politikan i kalibrit që ka një histori më kreative sesa ajo e Musliut. Është një artist i vetdeklaruar, një njeri kreativ që ka bërë monumente sikurse NEWBORN por që në mënyrë fare të pashpjegueshme është e lidhur me budallallëqet vullagre të një gazetari që tashmë ka hyrë në Kuvend, Mialim Zeka.
Normalisht në këso debati për “patriotë” dhe “udbash” nuk ka sesi të mos mungonte edhe Zeka, anipse fare nuk është përmendur. Por e ka në gjak që të merret me këso gjëra, sepse për gjëra normale, ai s’ka kapacitet të flas.
Pra Fisniku, kreativi,deputeti i shkolluar në Londër u zbulua për të disten herë se është thjesht një politikan që nuk ka lidhje me “politikën e moderuar”. Edhe ky është mbetje e politikës së vjetër, peng e problemeve të vjetra, të parëndësishme.
Sikur Musliu dhe Ismaili të mos mjaftonin në këtë debat të dobët dhe jashtëzakonisht tepër vullgar e të parëndësishme u përfshinë edhe “pinjollët e politikës së moderuar” në skenën politike të Kosovës.
Një student i një shkolle kredibile amerikane u rikthye në skenën politike të Kosovës, si nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Është Uran Ismaili.
Ai erdhi në krye të kësaj partie si krah i djathtë i kryetarit të ri Kadri Veseli.
Veseli na e paraqiti si një personalitet që do të sjellë frymë të re në politikëbërjen kosovare se do t’i japë energji të re PDK-së.
E ai me çka merret? Ja deklarata e tij për Ismailin dhe Musliun:
“Baba e Nana e Ganimetes, për Millosheviqin e për Serbinë kanë qenë shqiptarë që u mundu me i zhdukë me shekuj. Baba yt ka qenë dost i Millosheviqit”.
Pra një politikan i cili është shkolluar jashtë merret me këso deklarata që më shumë ngjajnë në jashtëqitje politike.
E sikur kjo të mos mjaftonte në skenë, për të njëjtin debat, hynë edhe dy figura të tjera të “moderuara” në skenën politikës kosovare.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, kur ishte emëruar në këtë pozitë, ishte proklamuar si një politikane e cila i përket frymës së re, është shkolluar me një mendësi të re politike. Pra fringo politikane. Jo një e asi lloji që as ka luftuar e as është viktimizuar për fatin e saj të keq nën okupim.
I tillë është edhe kolegu i saj, që tash funksionon nën petkun e politikanit të pavarur që këshillon presidentin e Kosovës, njeriun më apolitik në vend, Hashim Thaçin. Ai është Abelard Tahiri.
Edhe Hoxha edhe Tahiri inkuadrohen në këtë lojë të pistë me deklarata palidhje dhe aspak të rëndësishme për problemet tona.
Ata hidhen në rrejte sociale për të folur kot. Të gjithë së bashku.
Dhe në fakt, nuk është faji i tyre. Është faji jonë që ua kemi dhënë këtë shans, që të na gënjejnë se janë politikanë modern. A këta janë vetëm mbetje të politikës së vjetër./Insajderi.com