Mali i Zi: Nuk futemi në luftë kundër serbëve, e as kundër shqiptarëve

Mali i Zi: Nuk futemi në luftë kundër serbëve, e as kundër shqiptarëve

Ministri malazez i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq ka thënë se nuk do të dërgojë ushtarë në luftë as kundër serbëve e as kundër shqiptarëve në Kosovë.

Sipas tij, Mali i Zi do të angazhojë ushtarët e tij vetëm në kontekst të promovimit, ruajtjes dhe fuqizimit të paqes dhe sigurisë regjionale dhe globale.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Mina, Boshkoviq ka thënë se deklarata e tij e fundit është shkëputur nga konteksti, në një mënyrë “shumë të ligë”.

Ai ka thënë se “disa media avokojnë politika të vjetruara dhe nuk pajtohen me faktin se Mali i Zi është shtet i pavarur, dhe lider në regjion në të gjitha parametrat”.

“Me anëtarësim në NATO, Mali i Zi është bërë pjesë e një sistemi që ka vlerat e një shoqërie moderne demokratike, me njërën prej vlerave që është promovimi dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit në vendet me krizë nëpër gjithë botën”, ka thënë Boshkoviq.

Ky sipas tij është i vetmi mesazh i deklaratës së tij.

“Mali i Zi nuk do të dërgojë ushtarët e tij në luftë as kundër serbëve e as kundër shqiptarëve në Kosovë, por vetëm do të angazhohet në kontekstin e promovimit, ruajtjes dhe fuqizimit të paqes dhe sigurisë regjionale e botërore, qoftë në Kosovë apo në ndonjë territor tjetër që është në marrëveshjen e përbashkët të 29 anëtarëve të Aleancës Veri Atlantike”, ka thënë Boshkoviq ndër tjerash. /Insajderi.com