Vrasje të grave, të vajzës, e të të afërmve të tjerë të familjes. Dy tragjedi brenda familjeve kosovare në Gjermani kanë ndodhur gjatë muajit korrik të këtij viti. Njëra në Marburg, e tjetra në Nurentingen.

Kur rapsodi kosovar Sami Veseli, i cili banonte në Gjermani, vrau gruan e tij, vajzën e tij e më pas edhe veten më 2 korrik, shkaktoi një tragjedi brenda familjes së tij.
Veseli ishte nga Ferizaj, kurse prej kohësh po jetonte në Gjermani në Marburg.
Ai kishte qëlluar vajzën, që kishte vdekur në vend, kurse gruaja e tij ishte dërguar në spital – për të vdekur më pas. Për shkak të gjurmëve, hetuesit gjermanë e kanë cilësuar si ‘krim në mjedisin familjar’ vrasjet e kryera nga Veseli.
Kur u mendua se kjo tragjedi do të ishte vetëm një rast i izoluar, nuk doli të jetë ashtu. Vetëm pas kësaj ngjarje, një tjetër tragjedi kosovare ndodhi në Gjermani. Kësaj radhe në qytetin e Nurentingenit.
Një burrë 52-vjeçar nga Kosova, ka shtënë të shtunen me armë zjarri mbi bashkëshorten e tij, 45-vjeçe, dhe të dashurin e bijës së tij, duke i lënë të ata vdekur.
Kryesi i krimit, identifikimi i të cilit nuk është bërë publik ende, është arrestuar në vendngjarje dhe do të dalë para gjykatësit të dielën, raportonte sot gazeta gjermane Bild.
Siç njofton Bild, para vrasjes së dyfishtë kishte filluar një zënkë në mes burrit dhe gruas së tij në shtëpinë e tyre. Burri më pas ishte larguar për një kohë të shkurtër nga shtëpia.
Në orën 22:30 të së shtunës, ai ishte kthyer në shtëpi, duke hyrë së pari në kopshtin e ndërtesës. Në këtë kohë, bija e tij dhe i dashuri i saj gjithashtu ishin në apartament.
Vajza po tentonte ta ndalonte babanë e saj në derën e shtëpisë së tyre. Më pas 52-vjeçari kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë. Ai vrau gruan e tij dhe të dashurin e bijës së tij. /Insajderi.com