KMDLNj: Peticioni kundër xhamisë s’ka asnjë bazë ligjore

KMDLNj: Peticioni kundër xhamisë s’ka asnjë bazë ligjore

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin rreth zhvillimeve të fundit, gjegjësisht debatit rreth ndërtimit të xhamisë kryesore në Prishtinë.

Përmes reagimit, KMDLNj thotë se e njeh të drejtën e peticionit si njërin nga mjetet demokratike me të cilin kundërshtohet apo përkrahet një iniciativë që shkon në dëm apo dobi të qytetarëve.

Gjithsesi, sipas KMDLNj-së, me peticionin e fundit po bëhen përjashtime në baza fetare, po shkelen të drejtat e një komuniteti fetar (shqiptarë të besimit islam, turq, goranë, boshnjakë, romë, ashkalinj dhe egjiptas – qytetarë të Kosovës) duke ua mohuar të drejtën elementare të ndërtimit të objekteve të kultit edhe në rast kur nuk janë në kundërshtim me ligjin.

“Llogaritet se afërsisht 85% të qytetarëve të Kosovës janë të besimit islam andaj, me këtë peticion i cili nuk ka asnjë bazë ligjore, njerëzore, morale dhe logjike po i bëhet një shërbim shumë i keq raporteve të mira ndërfetare që kanë qenë deri më tani në Kosovë”, thuhet në reagim.

“Me këtë peticion po rrezikohen të drejtat e njeriut të besimtarëve të besimit islam në Kosovë pavarësisht përkatësisë etnike sikur që po inkurajohet një diskurs i rrezikshëm , ai i përçarjes në baza fetare”.

“Me këtë peticion po bëhet një presion ndaj autoriteteve komunale të Prishtinë që janë përgjegjëse për dhënien e lejes urbanistike për ndërtimin e xhamisë në lokacionin e ndarë nga po kjo komunë, me një kryetar tjetër”, thuhet ndër tjerash në reagimin e KMDLNj-së.

Reagimi i plotë i KMDLNj-së:

Zbatimi i standardeve të dyfishta edhe në fushën e të drejtave dhe lirive fetare!

Deri më tani Kosova ka qenë shembull në rajon në kultivimin dhe zbatimin e të drejtave fetare në përgjithësi kurse në veçanti në respektimin e besimeve të ndryshme përmes një tolerance shembullore ndërfetare.

Ka qenë pasqyrë e zakonshme vizitat e ndërsjella të krerëve fetarë, si gjatë takimeve zyrtare, festave fetare apo edhe në aktivitete që e kanë afirmuar tolerancën dhe bashkëjetesën e besimeve të ndryshme.

Përjashtim i vetëm ka qenë komuniteti fetar ortodoks serb që në momente të caktuara ka qenë dhe manipulohet nga Beogradi duke zbehur këtë harmoni ndërfetare në Kosovë.

Gjatë luftës, pjesa dërmuese e objekteve fetare të komunitetit musliman në Kosovë janë shkatërruar nga forcat paramilitare, policore dhe ushtarake të Serbisë kurse kishat ortodokse dhe ato katolike nuk janë shkatërruar.

Pas përfundimit të luftës e sidomos në mars të vitit 2004 janë plaçkitur, demoluar dhe shkatërruar një numër i konsiderueshëm i manastireve dhe kishave ortodokse serbe të cilat pastaj janë rinovuar me mjete të buxhetit të Kosovës.

Xhamitë e rinovuara dhe të ndërtuara janë bërë kryesisht me donacione të shteteve arabe dhe Turqisë ndërsa shteti i Kosovës nuk ka ndihmuar financiarisht këto objekte.

Besimtarët e besimit islam, menjëherë pas përfundimit të luftës kanë kërkuar lokacion për ndërtimin e një xhamie në qendër të qytetit që do t’ua plotësonte nevojat e tyre për përmbushjen e detyrimeve fetare e që nga autoritetet e Kosovës ishte refuzuar në ndërkohë që mbi themelet e një gjimnazi shumë prestigjioz siç ishte gjimnazi Eqrem Qabej u ndërtua një katedrale impozante.

Autoritet okupuese të Serbisë ndërtuan një kishë ortodokse në hapësirat e Universitetit të Prishtinës.

Pas demonstratave të vazhdueshme të besimtarëve të besimit islam në Kosovë, autoritetet komunale të Prishtinës gjatë mandatit të Isa Mustafës si kryetar dhe pas bisedimeve të shumta u pajtuan që të ndahet lokacioni për ndërtimin e xhamisë te Posta kryesore në lagjen e Dardanisë.

Edhe përkundër faktit se pas një konkursi publik u zgjodhë fituesi i projektit, ndërtimet e xhamisë nuk filluan shkaku se mungonte leja e ndërtimit e autoriteteve komunale të Prishtinës.

Tash, ditëve të fundit u lancua një peticion i nënshkruar nga 30 aktivistë të shoqërive civile për të vazhduar me nënshkrime online të qytetarëve në kundërshtim të ndërtimit të xhamisë në lokacionin e ndarë për këtë me arsyetim se kjo nuk ishte paraparë me planin rregullues për këtë lagje.

KMDLNj e njeh të drejtën e peticionit si njërin nga mjetet demokratike me të cilin kundërshtohet apo përkrahet një iniciativë që shkon në dëm apo dobi të qytetarëve.

Me peticionin e fundit po bëhen përjashtime në baza fetare, po shkelen të drejtat e një komuniteti fetar (shqiptarë të besimit islam, turq, goranë, boshnjakë, romë, ashkalinj dhe egjiptas – qytetarë të Kosovës) duke ua mohuar të drejtën elementare të ndërtimit të objekteve të kultit edhe në rast kur nuk janë në kundërshtim me ligjin.

Llogaritet se afërsisht 85% të qytetarëve të Kosovës janë të besimit islam andaj, me këtë peticion i cili nuk ka asnjë bazë ligjore, njerëzore, morale dhe logjike po i bëhet një shërbim shumë i keq raporteve të mira ndërfetare që kanë qenë deri më tani në Kosovë.

Me këtë peticion po rrezikohen të drejtat e njeriut të besimtarëve të besimit islam në Kosovë pavarësisht përkatësisë etnike sikur që po inkurajohet një diskurs i rrezikshëm, ai i përçarjes në baza fetare.

Me këtë peticion po bëhet një presion ndaj autoriteteve komunale të Prishtinë që janë përgjegjëse për dhënien e lejes urbanistike për ndërtimin e xhamisë në lokacionin e ndarë nga po kjo komunë, me një kryetar tjetër.

KMDLNj e përkujton opinionin se Patrikana e Pejës e devijon edhe rrjedhën e lumit duke e ndërtuar një mur pa leje ndërtimi dhe i cili u përkrah edhe nga diplomatët e huaj me arsyetimin se në Kosovë ka mijëra e mijëra objekte pa leje dhe ky mur i Patrikanës nuk është asgjë më tepër se një objekt tjetër pa leje.

Manastiri i Deçanit, në mënyrë flagrante ua shkelë të drejtat e njeriut qytetarëve të kësaj komune duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes dhe duke e penguar qasjen e lirë në pronat e këtyre qytetarëve.

Kisha ortodokse e Millosheviqit po qëndron në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, po rinovohet ilegalisht dhe askush nuk po nënshkruan peticion për rrënimin e saj sepse , prapa kësaj qëndrojnë ndërkombëtarët ndërsa nënshkruesit e peticionit nuk janë të gatshëm të përballen me ndërkombëtarët.

Në lokacionin më të mirë të Prishtinës, pa asnjë debat publik u ndërtua Katedralja vetëm në saje të vendimit të një personi, Ibrahim Rugovës. Nuk pati peticion kundër këtij vendimi ndonëse mijëra e mijëra nxënës të gjimnazit Eqrem Qabej u bënë refugjatë të brendshëm duke u zhvendosur nga një shkollë në tjetrën , deri sa përfunduan punimet për ndërtimin e shkollës në lagjen Lakrishtë që ishte vendi më i keq për ndërtimin e shkollës.

Në fshatin Llapushnik u ndërtua një kishë katolike gjigante, në një lokacion të paraparë për destimin tjetër dhe në shpërputhje të madhe me nevojat reale të komunitetit katolik të asaj ane. Kjo i bjen sikur të ndërtoni një shkollë për 1000 nxënës në kohën kur i keni vetëm 30 – 40 nxënës. Kështu është vepruar me Kishën Katolike të Lapushnikut dhe çdo kundërshtim është neutralizuar me arsyetimin se e kanë përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Xhamia e rrafshuar përtokë në veriun e Mitrovicës nuk po ndërtohet sepse po kundërshtohet nga serbët e veriut dhe ndërkombëtarët dhe askush nuk po nënshkruan peticion në favor të ndërtimit të xhamisë mbi themelet e mëparshme. Përfaqësues të kishës ungjillore me vite të tëra kërkojnë lokacion për varrrezat sikur edhe leje për ndërtimin e një tempulli fetar ( me paratë e tyre) mirëpo kjo e drejtë u mohohet padrejtësisht nga autoritetet komunale dhe ato qendrore.

KMDLNj i përkrah të drejtat dhe liritë fetare, pa bërë dallime ne besimin e tyre si të drejta elementare të njeriut dhe si të tilla janë të rrregulluara me ligjet në fuqi në Kosovë dhe kundërshton çdo formë të diskriminimit në baza fetare sikur edhe pengimin e ndërtimit të objekteve të kultit kur janë të lejuara me ligj dhe në këtë kontekst e përkrah ndërtimin e xhamisë në lokacionin e ndarë nga Komuna e Prishtinës.

Në kontekstin e zhvillimeve lokale, rajonale dhe globale kur të drejtat dhe ndjenjat fetare manipulohen për qëllime politike e të tjera, besimtarëve të besimit islam në Kosovë po iu shkilen të drejtat e njeriut shkaku se çdo kërkesë e tyre lehtësisht refuzohet me arsyetimin se po e forcojnë radikalizmin islamik.

Ndërkaq , sa i përket përzgjedhjes së projektit se si do të duket xhamia është përgjegjësi e komisionit vlerësues dhe përzgjedhës brenda BIK – ut.

Nëse ka diçka që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës janë organet kompetente që merren me këtë çështje siç janë marrë deri më sot.

Sa i përket lokacionit ku do të ndërtohet xhamia, krahasuar me lokacionet ku janë kisha ortodokse dhe katedralja në Prishtinë, lokacioni për xhami është në shpërputhje me pozitën që e meriton dhe nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë nevojat e besimtarëve të besimit islam. Ky peticion nuk duhet të përfillet sepse është në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe të drejtat fetare të një komuniteti fetar të cilit i shkilen në mënyrë flagrante këto të drejta. Standardet e përcaktuara me ligj në fushën e të drejtave fetare, si të drejta të njeriut nuk mund të zbatohen me kritere të dyfishta duke diskriminuar një komunitet dhe duke favorizuar të tjerët. Për fat të keq në Kosovë po ndodhë zbatimi i standardeve të dyfishta edhe në fushën e të drejtave dhe lirive fetare në kohën kur po flasim për universalitetin e të drejtave të njeriut si parakusht për një shoqëri demokratike. /Telegrafi/