Qysh prej u kuptua se cili koalicion apo cila parti ka sa deputetë në Kuvendin e ri të Kosovës, nisi edhe gara e numrave. Një garë që fillimisht u nisë nga njerëz të afërm me kandidatin për kryeministër nga koalicioni PAN e që vazhdoi edhe nga koalicioni jo-zyrtar i LDK-AKR-Alternativa dhe Vetëvendosje. Por deri më tani asnjëra palë nuk e ka fituar garën.
Kur koalicioni PDK-AAK-NISMA fitoi zgjedhjet e 11 qershorit por fitoi jo aq shumë deputetë sa për të krijuar vetë Qeverinë e re, Pal Lekaj, njeriu më i cituar në media nga partia e Ramush Haradinajt, kandidatit për kryeministër nga ky koalicion, doli me një deklaratë të cilën ai ende vazhdon ta përmend: Haradinaj i ka numrat por nuk dëshiron një Qeveri më gjithëpërfshirëse.
Për formimin e Qeverisë së Kosovës duhen 61 deputetë dhe koalicioni PAN nuk mund ta bëjë këtë pa pasur edhe votat e deputetëve nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe partia Vetëvendosje të cilat janë barikaduar kundër PDK-së.
Ishin PDK-ja dhe AAK-ja të parat që filluan të flasin për deputetë nga dy taboret tjera, si të gatshëm që ta votojnë Ramush Haradinajn kryeministër.
Pas Pal Lekajt, për numrat foli edhe nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi i cili në emisionin Komiteti se para disa ditësh tha se 39 deputetëve të koalicionit PAN do t’i shtohen 10 deputetët serbë dhe 10 deputetë e pakicave joserbe, e bashkë me ta edhe dy të tjerë nga partitë shqiptare, emrat e të cilëve nënkryetari i PDK-së refuzoi t’i bëjë publik.
Por nuk vonoi shumë, dhe “deputetët fiktiv” që janë të gatshëm të votojnë kandidatin për kryeministër nga një parti tjetër, u bënë edhe pjesë e Vetëvendosjes, raporton Insajderi.
Një orë pas PDK-së, Yll Hoxha nga Vetëvendosje, shkroi në Facebook, se të paktën gjashtë deputetë të koalicionit PAN, do ta votojnë Albin Kurtin për kryeministër, i cili është i nominuar nga Vetëvendosje.
Kështu ka bërë të ditur Ylli Hoxha nga Vetëvendosje në një status të publikuar në facebook, transmeton Klan Kosova.
”Janë së paku 6 deputetë të PAN-it që do ta votojnë Albinin për kryeministër” shkroi Hoxha.
Kësisoj kur ende nuk caktuar seanca e parë e Kuvendit, të dy partitë që po pretendojnë se duhet ta formojnë Qeverinë, Vetëvendosje thotë se i ka 6 deputetë nga PAN, ndërsa PDK-ja thotë se i ka 2, aq sa edhe i nevojiten për ta bërë Ramush Haradinajn, kryeministër, por të gjithë këta deputetë mbesin fiktiv.
E në krejt këtë garë për numra, sytë janë drejtuar tek Presidenti, Hashim Thaçi. Por ai nuk ka bërë ende asnjë lëvizje zyrtare që do të qonte në emërimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë. Edhe pse para disa ditësh shkroi në Facebook se Haradinaj ia ka konfirmuar se i ka numrat e Qeverisë, ai nuk ka bërë ndonjë hap. /Insajderi.com