Grabovci heq dorë nga kërkesa për largimin e “Dosjes së Shefave”

Grabovci heq dorë nga kërkesa për largimin e “Dosjes së Shefave”

Ish-shefi i grupit parlamentare të PDK-së, Adem Grabovci pas një viti që ka bërë kërkesën për masë të sigurimit, lidhur me publikimin e përgjimeve “Dosja e Shefave” nga Gazeta Insajderi, ka hequr dorë nga kjo kërkesë.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij Florent Latifi, në seancën e sotme të përballjes mes Grabovcit dhe Insajderit.

Gazeta Insajderi vitin e kaluar ka publikuar serinë e përgjimeve “Dosja e Shefave”, përmes së cilave ishte dëshmuar fuqia e Grabovcit dhe strukturës së Partisë Demokratike, se si vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, punësojnë qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Pas publikimit të përgjimeve Adem Grabovci kishte paditur Insajderin duke kërkuar gjithashtu edhe ndalimin e publikimit të tyre, kërkesë për masën e sigurisë ishte refuzuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ndërkaq Prokuroria Speciale pati nisur hetimet kundër Adem Grabovcit dhe personave tjerë të përfshirë në përgjimet, 26 ditë pas nisjes së publikimit të “Dosjes së Shefave”, lidhur me dyshimet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë viteve 2011-2012. /Insajderi.com