
Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është detyruar më në fund t’i përgjigjet akuzave nga qytetarët kosovarë në media se bashkia dhe policia e këtij qyteti po i keqtrajton me qëllim pushuesit nga Kosova që vijnë në plazh.
Por Dako tha: “U kërkoj mirëkuptim, pushuesve nga Kosova” dhe u justifikua me fjalët se bashkia, për të rritur cilësinë e shërbimit, është duke bërë investime në rrugët e qytetit dhe autobusët nuk do të lejohen më të kalojnë në rrugën “Pavarësia”, pasi ajo është kthyer në pedonale.
“Përjashtim nga ky vendim është bërë për autobusët me turistë të huaj që janë të prenotuar nga hotelet në plazhin e Durrësit dhe janë lejuar të hyjnë në kundërshtim me tabelat e vendosura për qarkullimin rrugor”, tha kreu i bashkisë së Durrësit.
Në fund, Dako përsëri ftoi pushuesit nga Kosova, që sipas tij, po mbajnë me bukë shumë familje në Durrës, me të ardhurat që marrin nga turizmi.
“U bëj thirrje të gjithë pushuesve nga Kosova të vijnë në plazhin e Durrësit dhe të qëndrojnë këtu. Këtë vit në plazh ka risi. Nuk ka asnjë derdhje të ujërave të zeza në det, asnjë papastërti në drejtim të rrjetit nëntokësor, janë të lidhura me kolektorin kryesor”, tha ai.